2008-11-30 12:29:59

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(30.11.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën I të Kohës së Ardhjes. Përkujtoi edhe Shën Andreun.

 
Të hënën do të kremtohet festa e Shën Eligjit, ipeshkëv i Lionit dhe Shën Naumit, profet, që na kujtojnë se Jezusi vjen për çdo njeri, për çdo popull: të përgatitemi, prandaj, për ta takuar me gëzim.

Të marten, në atmosferën e thirrjes së Psalmistit: ‘Eja, o Zot, mbret i drejtësisë e i paqes”, do të përkujtohen Shën Bibiana, matronë romake; Shën Pimeni, martir e Shën Silvestri, papë.

Të mërkurën është festa e Shën Françesk Saverit, meshtar jezuit, apostull i Indisë, pajtor i misioneve. Na kujton se kumtimi ynë i krishterë bëhet i besueshëm, kur e dëshmojmë Krishtin me çdo çast të jetës sonë. Dëshmi, jo fjalë, kërkon nga ne Zoti që vjen!


Në liturgjinë e së enjtes, Shën Gjon Damasheni, meshtar e dijetar i Kishës e Shën Barbara, martire, na ftojnë që jo vetëm t’i dëgjojmë fjalët e Jezusit, por edhe e sidomos t’i vemë në jetë.

Të premten - festa e Shën Sabës abat, na kujton se duhet të jetojmë me bindjen se kushti kryesor për ta përhapur praninë e Zotit në botë, është të besosh me gjithë zemër në Të.

 
Të shtunën Kisha na propozon shembullin e Shën Nikollës së Barit, ipeshkëv i Mirës. Shenjti mrekullibërës na kujton se kur jemi të lodhur e të këputur, si delet pa bari, duhet t’i lutemi Hyjit të na dërgojë prijës të drejtë, të cilët na çojnë drejt Zotit që po vjen!

E diela e ardhshme, është e dyta e Kohës së Ardhjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.