2008-11-30 15:06:31

365 ditë:"Maiti Girtaner: Falja e pamundur".


(30.11.2008 RV)RealAudioMP3 Kur më 1943 Maiti u arrestua nga Gestapoja, policia e fshehtë e Hitlerit, e di se do të martirizohet. Është njëzet e një vjeçe e merr pjesë aktivisht në rezistencën antinaziste, në Francën e pushtuar. Gjermanët nuk dyshojnë fare. Për ta është një studente e sjellshme, me talent të madh për pianoforte. Kur e marrin vesh se vajza i kishte gënjyer për tri vjet me radhë, njerëzit e Gestapos e nisin menjëherë në një kamp përqendrimi, ku janë mbyllur partizanët kryengritës.
Maiti e di se po hyn në fund të ferrit.
I dorëzohet një ‘doktori’ shumë të veçantë. Leos, një mjeku të ri nazist, që e njeh përsosurisht trupin njerëzor. Veç njohuritë e tij nuk i shërbejnë për t’i shëruar të sëmurët, por për t’i sëmurur të shëndoshët. Mjeku i ri e ushtron mjekësinë duke torturuar partizanët. E për Maitinë, ruan torturat më të rafinuara, duke ia ngacmuar palcën, brenda shtyllës kurrizore, gjë që i shkakton dhimbje të tmerrshme, të vazhdueshme. Për të mos rënë në dëshpërim, Maitia, si e krishterë që është, lutet vazhdimisht. Del e gjallë nga kampi, por Leo ia ka shkatërruar palcën kurrizore, nga e cila varen shumë funksione të trupit njerëzor. Maitisë i duhen tetë vjet për t’u ngritur përsëri në këmbë. Ajo, që ëndërronte të bëhej pianiste e famshme, duhet t’i thotë pianos lamtumirë përgjithmonë. Dhimbja nuk e lë kurrë të qetë. Ka të gjitha arsyet e botës për t’u mbyllur në vuajtjen e vet, por nuk lejon që zemërimi t’ia shkatërrojë edhe ato pak ditë që i mbeten. Mendon se është shkatërruar edhe tepër: në se do të pushtohet nga urrejtja, gjendja nuk do të përmirësohet, përkundrazi, do të keqësohet më tej. Atëherë Maiti bën një gjë të jashtëzakonshme: lutet për Leon. Lutet që të gjejë forcën e duhur për ta falur.
Një ditë në vitin 1984, dyzet vjet pasi kishte dalë nga burgu, Maiti dëgjon zilen e telefonit. Dikush e thërret. Është Leo. Pikërisht ai që e torturoi mizorisht. Nuk e ul telefonin. E dëgjon. Ai i shpjegon se është i sëmurë rëndë e se dëshron ta takojë, para se të vdesë. Kur Leo arrin në shtëpinë e saj, e gjen në krevat, pas një krize të rëndë dhimbjesh. Flasin për orë e orë. Kur Leo ngrihet të shkojë, Maiti e puth në ballë.Miqve të saj, që marrin vesh ç’kishte ndodhur, i duket një gjë e jashtëzakonshme. Maiti ka bërë një heroizëm të vërtetë. Po ajo përgjigjet se do ta kishte urryer për gjithë jetën xhelatin e saj, në se vetë Zoti nuk do t’i kishte dhënë forcën e duhur për të harruar… e për të falur. E gjendjen e saj shpirtërore, pas kësaj ngjarjeje, e shpreh me këtë frazë të mrekullueshme: “Falja është si loja në pianoforte: luhet me katër duar, me Zotin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.