2008-11-28 16:48:59

365 ditë: "Sofi Shol, trëndafili i bardhë i Munihut"


(28.11.2008 RV)Në Munih të Gjermanisë, në vitin 1943, Sofi Shol po ekzekutohet, së bashku me të vëllain, Hans dhe mikun e tyre, Kristof Probst. Po ç’krim kryen, për të merituar një dënim kaq të rëndë? Guxuan të ngrejnë krye kundër çmendurisë naziste. Në qelinë e saj, ndërsa pret pushkatimin, Sofia e ndjen veten të gatshme për të dalë para Hyjit e feja e saj e thellë e ndihmon ta përballojë këtë çast të tmerrshëm. Kujton ngjarjet e fundit, që e sollën këtu, e nuk i vjen keq për asgjë.
Më parë sjell në mend darkën me miqtë e me të vëllain, në të cilën lexonin vargje nga poetët e njohur e të dashur. Ndonëse regjimi nazist i kishte ndaluar, të rinjtë arrinin t’i gjenin përsëri fshehurazi. Gjatë asaj darke, të gjithë patën kritikuar nazizmin, regjim ateist, që mbillte rreth vetes terror e tmerr. Njëri nga të grupit, pati propozuar të shtypnin trakte e t’i shpërndanin, pastaj në të gjithë Gjermaninë.
E, pak kohë më pas, Sofia gjeti në universitet, një trakt si ata, për të cilët qe folur atë natë: trakti nënshkruhej ‘Trëndafilit i bardhë’. Shumë shpejt vajza pa në këtë trakt, gishtin e të vëllait. Njohu idetë e tij, që dënonin çdo regjim diktatorial e i ftonin gjermanët ta pengonin funksionimin e makinës të luftës, me të gjitha mënyrat e mundshme. E kështu edhe Sofia nisi të marrë pjesë në lëvizjen e rezistencës...
Pas pak kohe traktet e Trëndafilit të bardhë filluan të qarkullojnë në të gjithë vendin. Shpërndaheshin kudo nga studentët, që denonconin genocidin e hebrenjve dhe pasivitetin e popullit gjerman. I ftonin njerëzit të rebelohen e të tregojnë se nuk janë përbindsha, por engjëj. E me që Hansi, Sofia e miqtë ishin të krishterë, feja e tyre dukej qartë në çdo fjalë e në çdo rresht të mesazheve që shpërndanin.
E kështu deri atë ditë kur, pasi kishin shpërndarë trakte në amfiteatrin e univesrsitetit, u paditën nga portieri. Erdhën pastaj hetuesia, britmat e hetuesit që e ftonte ta pranonte krimin, torturat... Kohë e humbur!
“Ju gaboheni! Do t’i bëja përsëri të gjitha ato që kam bërë, sepse nuk jam unë, por ju, që keni një vizion politik të gabuar”, përgjigjet vajza.
Të gjithë rinjtë e arrestuar bëjnë pak a shumë të njëjtat pohime e të gjithë do të marrin të njëjtin dënim: Plumbin ballit për tradhti ndaj atdheut! Se kush janë tradhtarët, këtë do ta tregojë historia. Po Trëndafili i bardhë ia doli mbanesh t’i ligështonte forcat gjermane, duke zgjuar një numër të madh patriotësh.“Ia vlen të vdesësh”, mendon vajza para plotonit të ekzekutimit, “kur sytë e tu mbyllen, për të hapur mijëra sy të tjerë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.