2008-11-28 16:42:29

28 Nëntori kremtohet nga të gjithë shqiptarët: kryekremtimet - në Tiranë.


(28.11.2008 RV)RealAudioMP3 Sot, 28 Nëntor 2008, të gjithë shqiptarët, në trojet e tyre e nëpër botë, kudo jetojnë e punojnë, kremtuan me emocionin e përvitshëm, Ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, duke bërë një shtegtim simbolik në Vlorën e 1912-tës, ku 96 vjet më parë u ngrit Flamuri Kombëtar i Kastriotëve, simbol i lirisë, i pavarësisë, i ëndrrave për një ardhmëri më të mirë në gjirin e kombeve të përparuara të botës.
Prandaj - dëgjuesve të Radio Vatikanit e të gjithë shqiptarëve, redaksia e Programit Shqip i uron: “Gëzuar! Për shumë vjet Festën e Flamurit!”.

Ndryshe nga Dita e 28-tës 96 vjet më parë, zemra e kremtimeve nuk ishte më Vlora, ku u ngrit Flamuri Kombëtar, por Tirana, ku sot – sipas mediave shqiptare – pushtetarët e djathtë bënë një rrugë e dy punë, duke i përkujtuar bashkërisht 28 e 29 nëntorin. Sot, pra, presidenti i Shqipërisë, zoti Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, të ndjekur nga ministra e deputetë, u mblodhën së bashku në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë. Në homazhe nuk ishin të pranishëm liderë të së majtes, të cilët vazhdojnë t’i qëndrojnë besnikë 29 Nëntorit.
Në fjalën e rastit, duke përfshirë në mesazhin e urimit të tij edhe shqiptarët e Kosovës, presidenti Topi theksoi se sot është dita e bashkimit të popullit shqiptar,
“Sot është një ditë e shënuar, festa jonë kombëtare, një ditë kur në radhë të parë duhet të kuptojmë se Shqipëria është sot këtu në sajë të punës së disa gjeneratave dhe në radhë të parë të atyre që arritën të pavarësojnë atë. Ka dy situata shumë të ndryshme; në atë kohë Shqipëria luftonte për të mos u dizintegruar, ndërsa sot Shqipëria është në integrim. Dy ngjarje vërtetë në distancë, por shumë sinjifikative për Shqipërinë”- tha presidenti Topi. Ai shtoi se 28 Nëntori është ditë e madhe për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Me këtë rast Topi i përcolli mesazhin e vet edhe popullit të Kosovës. Ndërsa kryeministri Berisha tha se në këtë ditë përkujtojmë të rënët për liri, teksa nënvizoi se festa e këtij viti është e rëndësishme për shkak se edhe Kosova u bë shtet i pavarur. “Nderim per flamurin shqiptar e respekt për të rënët”- kërkoi, ndërmjet tjerash, kreu i qeverisë. Më pas u vunë kurora pranë monumentit të ‘Nënës Shqipëri”.

Në mbrëmje Presidenti Topi dha një pritje zyrtare në Pallatin e Brigadave, ndërsa kryeministri, menjëherë pas homazheve në varreza, shkoi për vizitë në familjen e ish-deputetit të ndjerë të PD-së, Azem Hajdari. Gjithashtu, vizitoi edhe familjen e dëshmores Ramize Gjebrea. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e vijoi programin e saj festiv duke përuruar një ekspozitë në nder të këtyre festave.

Kështu pushtetarët, ndërsa – gjithnjë sipas shtypit shqiptar – liderët e së majtës, besnikë deri në vdekje të 29 Nëntorit, nuk ishin të pranishëm në homazhe. Ata nuk e kaluan këtë ditë të madhe duke festuar, por duke u ankuar se, pasi munden nazizmin gjerman, sot janë të detyruar të gëlltisin poshtërimin që u vjen nga pushtetarët e tyre.
Kështu pra, opozita, edhe këtë vit i festoi festat tradicionale të 28 dhe 29 Nëntorit, si dy festa të ndryshme kombëtare. Në këtë kuadër, kreu i opozitës, Edi Rama e festoi 96-vjetorin e shpalljes së pavarësisë në Kosovë. Sipas burimeve pranë selisë rozë, Rama mori pjesë në takimin festiv mbarëkombëtar që u zhvillua në Prishtinë, ndërsa nesër do të jetë përsëri në Tiranë për të bërë homazhe në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Një ditë më pas, ai do të udhëtojë për në Greqi, ku do të festojë së bashku me emigrantët e Athinës dy festat kombëtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.