Një vit pas botimit të Enciklikës 'Spe salvi' - 'Me shpresën shpëtuam'.
(27.11.2008 RV)Një vit më parë,
më 30 nëntor 2007, botohej “Spe salvi”, Enciklika e dytë e Benediktit XVI. Në këtë
dokument magjistral, Papa ndalohet në mënyrë të veçantë tek natyra e vërtetë e shpresës
së krishterë. Është shpresë e ushqyer nga besimi në Zotin dashuri e që, pikërisht
për arsye të kësaj zanafille, nuk është kurrë individualistike, por gjithnjë plot
vëmendje ndaj të afërmit. Benedikti XVI frymëzohet nga një fragment i Letrës së Shën
Palit drejtuar Romakëve, për të zhvilluar reflektimin e tij mbi fiziononimë e shpresës
së krishterë. E nënvizon sidomos lidhjen e saj të ngushtë me fenë. Fjala ‘shpresë’
lidhet ngushtë me fjalën fe - shpjegon Papa - duke shtuar se kjo dhuratë ia ndryshon
krejtësisht jetën atij që e merr. Por ku e si mund ta gjejmë këtë shpresë, që shndërron?
Benedikti XVI e shpjegon në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 2 dhjetorit 2007:
“Shpresa qëndron në njohjen e Zotit, në zbulimin e zemrës së tij prej Ati
të mirë e të mëshirshëm. Jezusi, me vdekjen në kryq e me ngjalljen, na e zbuloi fytyrën
e Tij, fytyrën e Hyjit, që ka një dashuri aq të madhe, sa të na transmetojë shpresën
e patundshme, të cilën nuk mund ta mposhtë as vdekja, sepse kush ia beson jetën e
vet këtij Ati, do të jetojë në lumninë e amshuar”. Një shpresë
në të cilën mund të besojmë, pra, për të cilën njeriu ka nevojë edhe në kohët e zhvillimit
të vrullshëm teknologjik:
“Zhvillimi i shkencës moderne - shpjegon
Papa – i kufizon gjithnjë më shumë fenë dhe shpresën në sferën private dhe
individuale, kështu që sot shihet gjithnjë më qartë e nganjëherë edhe në mënyrë dramatike,
se njeriu dhe bota kanë nevojë të madhe për Hyjin, Hyjin e vërtetë, përndryshe mbeten
krejt pa shpresë”.
Shpresa – pohon Ati i Shenjtë
– pa dyshim kontribuon shumë për të mirën e njerëzimit, por nuk është në gjendje ta
shpëtojë. Njeriun e shpëton dashuria, që e bën të mirë e të bukur jetën personale
e shoqërore:
“Prandaj shpresa e madhe, e plota e përfundimtarja, sigurohet
nga Hyji, që në Jezusin na vizitoi e na dha jetë e në Të do të kthehet në mbarim
të kohëve. Në Krishtin shpresojmë, Atë presim!”.