2008-11-27 17:04:59

Atentatet në Mumbai e trondisin thellë Papën, i cili kërkon t’u jepet fund të gjitha akteve terroriste.


(27.11.2008 RV) RealAudioMP3 Benedikti XVI shpreh ngushëllimet për viktimat e atentateve të tmerrshme në Mumbai të Indisë. Në një telegram, nënshkruar nga kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, drejtuar kardinalit Osvald Gracias, kryeipeshkëv i Bombeit, Papa kërkon t’u jepet fund të gjitha akteve të terrorizmit, që fyejnë rëndë familjen njerëzore dhe destabilizojnë paqen e solidaritetin e nevojshëm për ndërtimin e një qytetërimi të denjë, që i përgjigjet thirrjes fisnike të njeriut për të dashur Zotin e të afërmin. Benedikti XVI shpreh shqetësimin e tij të thellë për shkallëzimin e dhunës në Mumbai si dhe afërsinë e tij shpirtërore me të gjithë ata, që u goditën nga këto sulme brutale të terrorizmit. Së fundi, Ati i Shenjtë lutet për viktimat dhe familjarët e tyre si dhe për të plagosurit, që Zoti t’i ngushëllojë në një provë kaq të rëndë.
Por të njihemi më hollësisht me situatën:

Mbrëmë, grupe të mirëorganizuara terroriste sulmuan me armë automatike dhe granata 16 pika kyçe të qytetit Mumbai, në Indi. Mumbai, i njohur ndryshe edhe si Bombej, është qendra e jetës ekonomike dhe financiare e Indisë. Sipas njoftimeve të organeve të rendit, deri tani ka më shumë se njëqind viktima dhe treqind të plagosur. Fatkeqësisht shifrat nuk janë të plota mbasi skuadrat e policisë po veprojnë ende në terren për lirimin e disa qindra personave marrë peng nga terroristët në Oberoi Trident dhe Taxh Mahall, dy hotele luksoze. Gjithashtu bëhet e ditur se terroristët u përpoqën të identifikojnë shtetasit amerikanë dhe ata britanikë.
“Këto sulme kundër civilëve të pafajshëm tregojnë se sa i rrezikshëm është kërcënimi i terrorizmit” tha presidenti i porsazgjedhur amerikan Barak Obama. Gjithashtu indinjatë të thellë shprehu edhe sekretari i përgjithshëm i OKB, Ban Ki Mun, i cili tha: “Shpërthimi i dhunës është i patolerueshëm”.
Përgjegjësia e sulmeve të bashkërenduara, që tronditën Indinë, u mor përsipër nga organizata islamike Muxhahedin Dekan, organizatë themeluar në Afganistan gjatë luftës kundër sovjetikëve, e që siç shihet tashmë vepron edhe në Kashmirin indian.
Kjo nuk është hera e parë që India bëhet pre e dhunës. Mjafton të kujtojmë se gjatë tre muajve të kaluar, ekstremistë hindu sulmuan për ditë me radhë bashkësitë e krishtera në shtetin e Orisës.

 
Në mikrofonin e Radios sonë, kardinali Osvald Gracias, kryeipeshkëv metropolit i Bombeit, flet për valën e atentateve, që vijojnë ta gjakosin qytetin e tij:

Përgjigje: - Jemi të gjithë të tronditur për këtë që ngjau! Terroristët nuk janë vetëm kundër qeverisë, por edhe kundër gjithë kombit indian. Kemi pasur sulme terroriste edhe në të kaluarën, por jo të këtij tipi. Tani duhet të jemi të bashkuar: të gjitha fetë, të gjithë njerëzit. Të gjithë të bashkuar, në këtë çast të vështirë, për të luftuar së bashku kundër dhunës.







All the contents on this site are copyrighted ©.