2008-11-24 18:39:18

Të jesh i drejtë do të thotë të jesh me Krishtin e në Krishtin


(19.11.2008 RV) Të dashur vëllezër e motra,
në rrugën që po përshkojmë, të udhëhequr nga Shën Pali, po ndalohemi tani tek një temë, që është në qendër të mosmarrëveshjeve të shekullit të Reformës: tek çështja e shfajsimit. Si bëhet i drejtë njeriu para syve të Zotit? Kur Pali takoi Krishtin e ngjallur në rrugën e Damaskut, ishte njeri i realizuar: i pacënueshëm përsa i përket drejtësisë dhe jetës në pikëpamje të Ligjit (Fil 3, 6), ua kalonte shumë bashkëmoshtarëve në kryerjen e veprave të përshkruara nga Ligji i Moisiut dhe mbronte me zell traditat e etërve (cfr Gal 1-14). Shndritja në rrugën e Damaskut ia ndryshoi jetën rrënjësisht: nisi t’i shikojë të gjitha meritat, fituar gjatë një karriere fetare të ndershme, si ‘fundërri’, para naltësive të njohjes së Jezu Krishtit (cfr Fil 3, 8).
Letra drejtuar Filipianëve na jep një dëshmi prekëse të kalimit të Shën Palit nga një drejtësi e bazuar mbi Ligjin dhe e fituar me anë të veprave të tij, në një drejtësi të fituar nga feja në Krishtin: ai e kuptoi se gjithçka, që deri atëherë i qe dukur si fitim, në të vërtetë përballë Zotit ishte humbje e vendosi, prandaj, ta shkrinte gjithë jetën e vet për Jezu Krishtin (cfr Fil 3,7).
Thesari i fshehur në arë e margaritari i çmuar, për blerjen e të cilit shitet gjithçka tjetër, nuk ishin më veprat e Ligjit, por Jezu Krishti, Zoti i tij.

Lidhja e Palit me Krishtin e ngjallur tashmë bëhet aq e thellë, sa ta shtyjë të pohojë se për të Krishti ishte jetë e vdekja fitesë (Fil 1, 21). E jo sepse e përbuzte jetën, por sepse kishte kuptuar se për të, të jetuarit nuk kishte tjetër qëllim e as tjetër dëshirë, veç arritjes tek Krishtit, si në një garë atletike, për të ndenjur gjithnjë me Të: Krishti i ngjallur ishte bërë fillesa e fundi i jetës së tij, shkaku e caku i vrapimit të tij. Vetëm shqetësimi për pjekurinë e fesë së atyre që kishte ungjillëzuar e kujdesi i përditshëm për të gjitha Kishat, që kishte themeluar (cfr 2 Kor 11,28) e bënin ta ngadalësonte vrapin drejt Zotit të tij të vetëm, për të pritur dishepujt, që të mund të vraponin bashkë me të drejt cakut. Në se në mbajtjen e mëparshme të Ligjit nuk kishte asgjë të qortueshme në pikëpamje të pastërtisë morale, pasi u rrëmbye nga Krishti, fort pak i interesonte ta gjykonte vetveten (cfr 1 Kor 4,3-4); kufizohej vetëm të propozonte vijimin e vrapit, që të arrinte tek Jezu Krishti, që e kishte bërë aq shumë për vete (cfr Fil 3,12).

E pikërisht përmes kësaj përvoje personale në lidhje me Jezusin, Pali vë në qendër të Ungjillit të tij papajtueshmërinë ndërmjet dy rrugëve të mundshme, të cilat e çojnë njeriun tek drejtësia: njëra, që përbëhet nga veprat e Ligjit, tjetra, e bazuar mbi hirin e fesë në Krishtin. Mundësia për arritjen e drejtësisë përmes veprave të Ligjit ose përmes fesë në Jezu Krishtin, bëhet një nga arsyetimet kryesore që përshkojnë Letrat e tij. “Ne jemi prej natyre hebrenj e jo mëkatarë nga paganizmi. Dhe e dimë tashti se njeriu nuk shfajsohet në sajë të veprave të Ligjit, por vetëm në sajë të fesë në Jezu Krishtin. Prandaj ne besuam në Krishtin, që ta fitojmë drejtësinë nga feja e Krishtit, e jo nga veprat e Ligjit, sepse askush nuk do të mund ta fitojë drejtësinë me anë të veprave të Ligjit (Gal 2,15-16). Ndërsa të krishterëve të Romës u kujton se “të gjithë kanë mëkatuar e janë të përjashtuar nga lumnia e Hyut, por janë përligjur falas me anë të hirit të tij, në fuqi të shpërblimit të kryer prej Jezu Krishtit. (Rom. 3, 23-24). E shton:Ne besojmë, njëmend, se njeriu shpërblehet me anë të fesë, pavarësisht nga veprat e përshkruara prej Ligjit (Ibid 28). Luteri e përktheu këtë: “i shfajsuar vetëm me anë të fesë”. Do të rikthehem në këtë pikë në fund të katekizmit. Më parë duhet të sqarojmë ç’ishte ky ‘Ligj’, nga i cili u çliruam e ç’ishin këto ‘vepra të Ligjit’, që nuk shfajsojnë. Që në bashkësinë e Korintit ekzistonte opinioni, që më pas do të përsëritej sistematikisht në histori; besohej se ishte fjala për ligjin moral e se liria e krishterë s’ishte tjetër, veçse çlirim nga etika. Kështu në Korint qarkullonte shprehja “πάντα μοι έξεστιν” ‘më lejohet gjithçka’. Është e qartë se ky shpjegim ishte i gabuar: liria e krishterë nuk është libertinizëm; çlirimi për të cilin flet Shën Pali, nuk është çlirim nga detyra për të bërë mirë.

Por ç’kuptim ka Ligji, nga i cili nuk u çliruam e që nuk të shpëton? Për Shën Palin, ashtu si për të gjithë bashkëkohësit, fjala Ligj nënkuptonte Torah në tërësinë e tij, dmth të pesë librat e Moisiut. Torah, sipas kuptimit farizeik, të cilin Pali e kishte studiuar dhe e kishte bërë të vetin, përmblidhte një sërë sjelljesh, që nisnin nga thelbi etik, deri tek sjelljet rituale e kultuale, sipas të cilave përcaktohej cili njeri ishte i drejtë. Në mënyrë të posaçme, rrethprerja, respektimi i së shtunës, etj. Këto sjellje kujtohen shpesh edhe në diskutimet e Jezusit me bashkëkohësit e tij.
Të gjitha këto rregulla, që shprehin një përkatësi shoqërore, kulturore e fetare, qenë bërë posaçërisht të rëndësishme në kohën e kulturës helenistike, duke filluar nga shekulli III para Krishtit. Kjo kulturë, kulturë universale e kohës, kulturë racionale, kulturë politeiste, në dukje tolerante, ushtronte një presion të fortë në drejtim të sheshimit kulturor, duke kërcënuar kështu identitetin e Izraelit, i cili detyrohej politikisht të bënte pjesë në këtë identitet të përbashkët të kulturës helenistike, gjë që kishte si pasojë humbjen e identitetit vetjak e, prej këndej, edhe humbjen e trashëgimisë së çmuar të besimit të Etërve, të besimit në një Hyj të vetëm e në premtimet e Hyjit.

Kundër këtij presioni kulturor, që kërcënonte jo vetëm identitetin izraelitik, por edhe besimin në një Zot të vetëm e në premtimet e tij, ishte e nevojshme të krijohej një mur, që t’i dallonte mirë palët, një mburojë për të mbrojtur e për të shpëtuar trashëgiminë e çmuar të fesë: ku mur ishin pikërisht rregullat e normat judaike. Palit, që ishte kapur fort pas këtyre normave, pikërisht për të mbrojtur dhuratën e Hyjit, të trashëgimisë së fesë në një Hyj të vetëm, i dukej se ky identitet kërcënohej nga liria e të krishterëve: prandaj i persekutonte. Në çastin e takimit të tij me Krishtin e ngjallur, kuptoi se me Ngjalljen e Krishtit gjithçka kishte ndryshuar plotësisht: me Krishtin, Hyji i Izraelit, Hyji i vetëm e i vërtetë, bëhet Hyj i mbarë popujve. Muri – kështu thotë në Letrën drejtuar Efezianëve – ndërmjet Izraelit e paganëve, nuk është më i nevojshëm: është Krishti, ai që i mbron kundër politeizmit e dredhimeve të tij; është Krishti ai, që i bashkon me e të vetmin Hyj; është Krishti ai, që garanton identitetin tonë, në larminë e kulturave. Muri nuk është më i nevojshëm, identiteti ynë i përbashkët në larminë e kulturave, është Krishti, e është Ai që na bën të drejtë. Të jesh i drejtë do të thotë të jesh me Krishtin e në Krishtin. E kjo mjafton. Nuk është nevoja për rregulla të tjera. Prandaj shprehja ‘vetëm feja’ e Luterit, është e vërtetë, në se nuk i kundërvë fenë me mëshirën, fenë me dashurinë. Fe do të thotë të shikosh Krishtin, t’i besosh Krishtit, të jesh i lidhur ngushtë me Krishtin, të bëhesh një me Krishtin, me jetën e tij. E jeta e Krishtit është dashuri. Prej këndej, të besosh do të thotë të bëhesh një me Krishtin e të hysh në dashurinë e Tij. Prandaj në Letrën drejtuar Galatasve, në të cilën zhvillon doktrinën e tij mbi shfajsimin, flet për fenë që vepron përmes dashurisë (Gal 5, 14)

 
Pali e di se i tërë ligji përmblidhet në dashurinë e dyfishtë për Zotin e për të afërmin. Kështu, në bashkimin me Krishtin në fenë, që krijon dashurinë, Ligji realizohet plotësisht. Bëhemi të drejtë, duke hyrë në bashkim me Krishtin, që është dashuri. Të njëjtën gjë e shikojmë në Ungjilin e së dielës së ardhshme, në Solemnitetin e Krishtit Mbret. Është Ungjilli i gjykatësit, që gjykon vetëm përmes dashurisë. Prej këndej, Ai bën vetëm këtë pyetje: “A më vizitove kur isha i sëmurë? Kur isha në burg? Më dhe të ha, kur isha i uritur; më veshe kur isha lakuriq?’. E kështu është dashuria që tregon sa i drejtë është njeriu. Në përfundim të këtij Ungjilli, gati-gati mund të themi: vetëm dashuri, vetëm bamirësi. E ndërmjet këtij Ungjilli e Shën Palit nuk ka asnjë kundërshtim. Është i njëjti vizion, sipas të cilit bashkimi me Krishtin, besimi në Krishtin krijon dashuri. E dashuria është realizim i bashkimit me Krishtin. Vetëm kështu jemi të drejtë, duke qenë të bashkuar me Të e në kurrnjë mënyrë tjetër.
  Në përfundim mundemi vetëm ta lusim Zotin të na ndihmojë të besojmë. Të besojmë me të vërtetë; e kështu besimi bëhet jetë, bashkim me Krishtin, shndërrim i jetës sonë. E kështu, të shndërruar nga dashuria e Tij, nga dashuria për Hyjin e për të afërmin, mund të jemi me të vërtetë të drejtë para syve të Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.