2008-11-24 17:40:25

Papa takohet më Katolikosin armen të Cilicës: shqetësim për persekutimet kundër të krishterëve. Aram I: bota të njohë genocidin armen.


(24.11.2008 RV)RealAudioMP3 Dialogu ndërmjet konfesioneve të ndryshme të krishtera për paqen në botë, denoncimi i persekutimeve kundër të krishterëve në Lindjen e Mesme e në zona të tjera të botës. Këto janë argumentet, në qendër të audiencës së Papës Benedikti XVI për Katolikosin e Kishës armene apostolike të Cilicës, Aram I, i pritur sot paradite në Vatikan sëbashku me një delegacion ipeshkvijsh. Para takimit, delegacioni u lut pranw varrit tw Gjon Palit II, ndërsa në përfundim të audiencës, një lutje e përbashkët në kapelën Redemptoris Mater të Pallatit Apostolik.
Ati i Shenjtë vuri në dukje kontributin e Selisë së Cilicës në dialogun ekumenik:
“Duhet të kemi besim se dialogu do të vazhdojë, meqë premton të sqarojë çështje teologjike që na kanë ndarë në të kaluarën, por që tani duket se ngjallin më shumë mirwkuptim. Kam besim se puna aktuale e Komisionit Ndërkombëtar – kushtuar temës: “Natyra, Kushtetuta dhe misioni i Kishës” – do të bëjë të mundur që çështjet e veçanta të dialogut tonë teologjik të gjejnë kontekstin dhe zgjidhjen e tyre të drejtë”.
Nëse besimet e krishtera kuptohen më mirë mes tyre, atëherë më e fortë do të jetë dëshmia në favor të vlerave të përbashkëta shpirtërore e morale, pa të cilat nuk mund të ekzistojë një rend shoqëror me të vërtetë njerëzor e i drejtë, theksoi Benedikti XVI. Nga ana e tij, edhe Katolikosi i armenëve nënvizoi se nuk mund të ekzistojë rrugë tjetër, përveçse ballafaqimit, duke respektuar tjetrin. Ai kujtoi Deklaratën e përbashkët, nënshkruar me Gjon Palin II në janar të vitit 1997:
“Ne vazhdojmë udhëtimin ekumenik të parardhësve tanë. Ne besojmë se kjo është rruga e vetme, e mbështetur nga urdhërimet e dashurisë e të bashkimit të Zotit tonë, që duhet të na çojnë drejt një misioni të përbashkët, sipas nevojës së një bote të tërë për mesazhin e Ungjillit, që na jep jetën”.
Benedikti XVI e shtriu më pas mendimin në gjendjen e vështirë të popullsive të Libanit e të Lindjes së Mesme, për të cilat tha se lutet çdo ditë, por edhe shqetësohet për dhunën e ushtruar ndaj të krishterëve:
“Kohët e fundit, kemi ndjekur me dhimbje shkallëzimin e dhunës e të persekutimit kundër të krishterëve në disa zona të Lindjes së Mesme e gjetiu. Vetëm kur vendet e përfshira do të jenë në gjendje të vendosin fatin e tyre e kur etnitë e bashkësitë e ndryshme fetare të pranojnë e të respektojnë plotësisht njëra-tjetrën, paqja do të ndërtohet mbi baza të forta solidariteti, drejtësie e respekti për të drejtat e ligjshme të personave e të popujve”.
Respektimi i këtyre të drejtave, që dhunohen edhe sot, është në bazën e atyre që Benedikti XVI i quajti “vuajtjet e patreguara” të popullit armen gjatë shekullit XX. Vuajtje të lara me gjakun e dëshminë e martirëve e shenjtorëve, që kanë brumosur kulturën e armenëve. Një plagë e hapur, për të cilën duhet mbajtur akoma qëndrim, theksoi Aram I:
“Kishat, fetë e shtetet duhet të njohin çdo genocid, duke përfshirë atë të armenëve, e të bëjnë ç’ështe e mundur për të parandaluar gencodie të reja, duke ripohuar të drejtën e të gjithë popujve për dinjitet, liri e vetëvendosje”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.