Papa në Solemnitetin e Krishtit Mbret i gjithësisë: “Në se secili mendon vetëm për
interesat e veta, bota nuk mund të mos shkojë drejt shkatërrimit”.
(24.11.2008 RV)Zotit nuk i duhen
gjë format hipokrite të devocionit, në se nuk vihen në jetë urdhërimet e tij: janë
fjalët e Papës i cili, në lutjen e së dielës, u ndalua posaçërisht tek Solemniteti
i Zotit tonë Jezu Krishtit, Mbret i universit, që u kremtua dje, duke komentuar shembëlltyrën
e gjyqit të mbram. Pas lutjes mariane, kujtoi në mënyrë të posaçme 188 martirët, lumnuar
sot në Japoni, zinë e bukës që tronditi Ukrainën 75 vjet më parë e pastaj, programin
polak pranë Radio Vatikanit, i cili sot kremtoi 70-vjetorin e fillimit të transmetimeve. “E
vërteta mbi fatin tonë të mbram e mbi kriterin me të cilin do të vlerësohemi” është
ky – shpjegoi Papa - mesazhi i Ungjillit të sotëm dhe i asaj, që njihet si ‘shembëlltyra
mahnitëse e gjyqit të fundit”. E, si kujtoi përmbajtjen e shembëlltyrës, Ati i Shenjtë
nënvizoi rëndësinë e saj: “Pata uri e më dhatë të ha, pata etje
e më dhatë të pi, isha i huaj e më përbujtët … (Mt 25,35) e kështu me radhë. Kush
nuk e njeh tani këtë faqe? Është pjesë përbërëse e qytetërimit tonë. Gjurmët e saj
- hjerakia e vlerave, institucionet, veprat e shumta të bamirësisë - duken qartë në
historinë e popujve me kulturë të krishterë”.
Mbretëria
e Hyjit, siç thoshte Jezusi, nuk është e kësaj bote e vetë Krishti nuk e pranoi titullin
e mbretit në kuptimin politik të kësaj fjale, por – theksoi Benedikti XVI – kjo mbretëri
realizon gjithçka të mirë që ekziston në zemrën e njeriut e në histori:
“Në
se vemë në jetë dashurinë për të afërmin, sipas lajmit ungjillor, atëherë i hapim
rrugën sundimit të Zotit e mbretëria e tij vjen mes nesh. Por në se secili mendon
vetëm për interesat e veta, bota nuk mund të mos shkojë drejt shkatërrimit”.
Papa
kujtoi se mbretëria e Hyjit nuk ka të bëjë me nderime e salltanete por, siç shkruan
Shën Pali, është drejtësi, paqe e gëzim në Shpirtin Shenjt. Një mësimi fortë
ky, të cilit Papa i shtoi edhe mendime të tjera, po kaq të fuqishme: “Zoti e ka shumë
për zemër të mirën tonë, dëshiron që çdo njeri të ketë jetë e, posaçërisht, që më
të vegjëlit të ulen të parët në sofrën, të cilën Ai e shtron për të gjithë”:
“Prandaj
nuk di ç’ të bëjë me hipokrizinë e atyre që thonë: “Zot, o Zot” e pastaj nuk i zbatojnë
urdhërimet (cfr Mt 7,21). Hyji i pranon në Mbretërinë e tij të
amshuar ata që përpiqen ditë për ditë ta venë në jetë fjalën e Tij”.
Pas
lutjes mariane, ndërmjet përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Benedikti XVI iu drejtua
posaçërisht shtegtarëve ukrainas. U kujtoi 75-vjetorin e zisë së madhe të bukës e
cila, në vitet 1932-33 shkaktoi vdekjen e miliona njerëzve në Ukrainë e në vise të
tjera të Bashkimit Sovjetik nën thundrën e regjimit komunist. Papa siguroi se lutet
për të vdekurit e në vijim uroi që asnjë rend politik të mos mundë më të mohojë të
drejat e njeriut, lirinë e dinjitetin e tij, në emër të ideologjive shkatrrimtare.
Më pas i ftoi të gjitha kombet të ecin në udhët e pajtimit e ta ndërtojnë të sotmen
dhe të ardhmen, duke respektuar njeri-tjetrin e duke kërkuar sinqerisht paqen. Benedikti
XVI kujtoi edhe dy çaste posaçërisht domethënëse për jetën e Kishës:
“Të
shtunën e ardhshme në Kubë do të shpallet i lum Fralet Hosè Olalo Valdés, i Urdhërit
Spitalor të Shën Gjonit të Zotit. Mbrojtjes së tij qiellore ia besoj popullin kuban,
posaçërisht të sëmurët e punonjësit e shëndetësisë”.
E
pak para Kubës, Papa kujtoi kremtimin e sotëm në Japoni:
“Nesër në Japoni,
në qytetin e Nagasakit, do të shpallen të Lum 188 martirë, të gjithë japonezë, burra
e gra, të mbytur në pjesën e parë të shekullit XII. I siguroj të gjithë se e ndjej
veten shpirtërisht të pranishëm në këtë festë kaq kuptimplote për bashkësinë katolike
e për të gjithë në Vendin e lindjes së diellit”.