2008-11-22 13:44:04

Publikohet Kalendari i kremtimeve liturgjike të Krishtlindjes që do të kryesohen nga Papa


(23.11.2008 RV)U publikua Kalendari i kremtimeve që do të kryesohen nga Benedikti XVI deri në janarin e ardhshëm. Të shumta janë kremtimet e rëndësishme në këtë kohë të fortë të vitit liturgjik, duke nisur nga Lutjet Mbrëmësore të së Dielës së parë të Kohës së Ardhjes, të cilën Papa do ta kremtojë më 29 nëntorin e ardhshëm në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.
“Është kohë e përshtatshme për të rizgjuar në zemrat tona atmosferën e pritjes së Jezusit” – kështu e pati përmbledhur vitin e kaluar Benedikti XVI kuptimin e kësaj periudhe, në të Dielën e parë të Ardhjes.

Sivjet, këtë të Diele, më 30 nëntor, Ati i Shenjtë do të shkojë për vizitë baritore në Bazilikën romake të Shën Lorencit jashtë Mureve, me rastin e 1750 vjetorit të martirizimit të Diakonit shenjt. Papa do të kremtojë Meshën në orën 9. 45.

Kremtimet e meshëve të dhjetorit do të hapen me aktin tradicional të nderimit të Zojës së Papërlyer, të dielën, më 8 dhjetor, në Sheshin romak të Spanjës, në orën 16. 00.

Natën e Krishtlindjes, Papa do të kremtojë Meshën e Mesnatës në Bazilikën e Shën Pjetrit. Të nesërmen, nga Lozha qëndrore e Bazilikës së Vatikanit, në orën 12. 00, bekimi ‘Urbi et Orbi’ – ‘Romës e Botës’, transmetuar në mondovizion.

2008-ta do të përfundojë më 31 dhjetor në Bazilikën e Vatikanit. Papa do të kryesojë Lutjet e para Mbrëmësore të Solemnitetit të të Shenjtnueshmes Mari, Nënës së Zotit dhe ‘Te Deum’, lutjen e falënderimit drejtuar Hyjit në fund të vitit.

Më 1 janar, duke nisur nga ora 10. 00, Benedikti XVI do të kryesojë Meshën Shenjte të Solemnitetit të të Shenjtnueshmes Nënës së Zotit po në Bazilikën e Shën Pjetrit, prej nga do të përhapet në mbarë botën mesazhi papnor për Ditën Botërore të Paqes 2009. Është një ditë, ndikimi i së cilës, sipas dëshirës së Papës, duhet të zgjatë tërë vitin, e prandaj Ati i Shenjtë i fton të gjithë ta lexojnë mesazhin e të thellohen në kuptimin e fjalëve që përbëjnë titullin e tij: “Të luftojmë varfërinë, të ndërtojmë paqen”.
  Të marten, më 6 janar, solemniteti i Dëftimit të Zotit, Papa do të kryesojë Meshën në Shën Pjetër, duke nisur nga ora 10. 00.

11 janar, festa e Pagëzimit të Zotit, Mesha papnore do të kremtohet në Kapelën Sikstine, ku Ati i Shenjtë do t’ i japë sakramentin e Pagëzimit një grupi fëmijësh.

Të dielën, më 25 janar, në orën 17. 30, në solemnitetin e Kthimit të Shën Palit, Benedikti XVI do të kremtojë Lutjet Mbrëmësore në Bazilikën romake të Apostullit të popujve jashtë Mureve.







All the contents on this site are copyrighted ©.