(23.11.2008 RV)Në ditën kur liturgjia – me solemnitetin e fundit të kohës gjatë
vitit kishtar, kushtuar Krishtit Mbret, reflekton për ardhjen e Jezusit në mbarimin
e kohëve, ndërsa përgatitet për të kremtuar ardhjen e parë, Krishtlindjen, nuk mund
të mos mendojmë për rrugën që duhet përshkuar për të arritur në Mbretërinë e Zotit.
Është rrugë e gjatë, e vështirë, që bazohet mbi lirinë e njeriut për ta mirëpritur
të vërtetën dhe dashurinë e Krishtit, pa dredhuar nëpër shtigje të shkurtëra. E
diela e fundit para Kohës së Ardhjes na kujton se Krishti e dëftoi natyrën e tij
të posaçme mbretërore gjatë hetimeve dramatike para Poncit Pilat. Ishte një mbret
që kishte ardhur t’i çlironte njerëzit nga skllavëria e mëkatit e t’i pajtonte me
Zotin. Ballë për ballë me Pilatin, Krishti pohoi se kishte ardhur në botë “që të japë
dëshmi për të vërtetën”. Po për cilën të vërtetë ? Gjithë jeta e Tij zbulon se
Zoti është dashuri: kjo, është pra, e vërteta, për të cilën ai bëri një dëshmi të
plotë me flijimin e vetë jetës mbi Kalvar. Kryqi është ‘froni’ nga i cili e dëshmoi
mbretërinë më të lartë të Zotit Dashuri: duke u fljiuar për faljen e mëkateve të botës,
Ai e mposhti sundimin e ‘princit të kësaj bote’ dhe ndërtoi përfundimisht Mbretërinë
e Hyjit”. E në se jeta e Jezusit është dashuri, rruga nëpër të cilën duhet të ecë
i krishteri nuk mund të mos jetë e njëjtë. Rruga për të arritur në këtë cak është
e gjatë e nuk pranon t’i biesh për shkurt: duhet që çdo njeri ta pranojë lirisht të
vërtetën e dashurisë së Zotit. Ai është Dashuri e Vërtetësi; as dashuria e as vërtetësia
nuk mund të imponohen kurrë: trokasin në portën e zemrës e të mendjes e, atje ku mund
të hyjnë, çojnë paqen e gëzimin. Kështu di të mbretërojë Zoti; ky është plani i tij
i shëlbimit, një ‘mister’ në kuptimin biblik të fjalës, dmth plan që zbulohet pak
nga pak në histori. Sot, pra, Kisha kumton përvujtërisht të vërtetën e Krishtit
Mbret, i cili vdiq në kryq, duke kryer aktin më heroik të dashurisë që njeh historia
e njerëzimit. Këtë të vërtetë, që i është dorëzuar, Kisha e ruan plot përvujtëri,
pa hijen e mburrjes ose të arrogancës. Krishti Mbret i universit, është i vetmi
Zot, e përballë tij të gjithë jemi vëllezër. Mbarë hjerarkia e Kishës, çdo karizëm
e çdo shërbim, gjithçka e të gjithë, është në shërbim të sundimit të tij. Por pushteti
mbretëror i Krishtit është krejt i veçantë, sepse manifestohet mbi kryq: Jezusi i
poshtëruar e i tallur, zbulon lavdinë e tij duke ndenjur mbi Kryq, si Qengj i flijuar.
Në mënyrë të papritur hajduti i mirë e pranon pushtetin mbretëror të të drejtit të
pafajshëm: e sheh të kryqëzuar dhe e quan Mbret; e kupton se të kesh jetë, do të
thotë të rrish me Krishtin, sepse atje ku është Krishti, është edhe Mbretëria; e kështu
lavdia hyjnore tashmë bëhet e pranishme, ndonëse e fshehur pas shpërfytyrimit të kryqit.