(22.11.2008 RV)Historia e martirizimit të saj, ndonëse jo pa mangësi, është
nga më të plotat në historinë e martirëve. Çeçilja, e nderuar si martire e si pajtore
e muzikantëve, është një nga shtatë vashat që kujtohen nga Kanuni Romak. Asaj iu kushtua
bazilika në Trastevere të Romës, një nga më të lashtat e krishterimit, ngritur rreth
vitit 313, në epokën e Kostandinit. E edhe festa e martires është ndër më të lashtat:
nisi të kremtohej në bazilikën e saj, që në vitin 545. Një rrethanë tjetër domethënëse
është ajo e varrosjes së martires në katakombet e Shën Kalisitit, fare pranë vendvarrimit
që njihej me emrin “Kripta e papëve”. Ishte papa Pasquali I ai që e mbarti trupin
e Shenjtores-martire nga katakombet në bazilikën trasteverine. Shenjtja romake
njihet edhe si pajtore e muzikantëve, sepse në rrëfimin mbi martirizimin e saj shkruhet,
ndërmjet tjerash, se kur luante në organo, martirja këndonte vetëm për Zotin. Në
vitin 1500 sarkofagu i saj u hap e trupi i Shenjtores u gjet krejtësisht i paprishur,
i mbështjellë me një petk mëndafshi qindisur me ar. Atëherë skulptori i njohur Shtjefën
Maderno skaliti në mermer shtatoren e saj të famshme, duke riprodhuar besnikërisht
pozicionin e trupit të martires. Tekste të shumta letrare, pak të besueshme, rrëfejnë
një sërë ngjarjesh dramatike nga jeta e Shën Çeçiles. Flasin për tortura të tmerrshme,
tregojnë se deshën t’ia presin kokën, por nuk munden, ndonëse i ranë tri herë me shpatë,
derisa ajo vetë u lut të merrnin fund torturat. Kulti i shenjtores u përhap menjëherë
në shumë vende, për shkak se me martirizimin e saj tronditës, preku thellë zemrat
e njerëzve e u bë model për të gjitha virgjërat e krishtera, shumë nga të cilat u
pagëzuan e pagëzohen me emrin Çeçile.