2008-11-22 17:45:05

365 ditë: "Maksimilian Kolbe na kujton se njeriu nuk mund të jetë kurrë numër".


(22.11.2008 RV)Në kuvendin e tij të Niepokalanov, në Poloni, atë Kolbe ngrihet shpejt për t’u lutur. Papritmas dikush troket me forcë në portë. Katër oficerë të Gestapos, siç quhet policia e fshehtë e Hitlerit, e arrestojnë, pa e lënë as të hapë gojë. Që kur nazistët pushtuan Poloninë, në vitin 1939, atë Kolbe ka fshehur në kuvendin e tij rreth dymijë hebrenj, pa llogaritur qindra refugjatë të tjerë. Më në fund Gestapoja e zbulon. Në korrik të vitit 1941, kur nuk i ka mbushur ende dyzet e shtatë vjeç, e internojnë në kampin më të tmerrshëm të përqendrimit, në Aushvic. Mbi trenin, që e çon në kampin e vdekjes, ku njerëzit janë rrasur si kafshët, përpiqet me gjithë zemër t’i ndihmojë të burgosurit e tjerë. Arrijnë në vendin e caktuar. Të burgosurit, që i detyrojnë të veshin pizhame me vija, nuk janë më njerëz, por numra. Mbi uniformën e atë Kolbes lexohet numri 16670: që nga ky çast rojet e thërresin me këtë numër. E dënojnë të bëjë punë tepër të rënda për shëndetin e tij të ligshtë. Megjithatë, mbledh të gjitha forcat që i mbeten, për të kryer punën e vet e për të ndihmuar edhe të tjerët: ngushëllon njerëzit në prag të vdekjes, që i kanë humbur të gjitha shpresat. Ata që do të dalin gjallë nga kampi, do të dëshmojnë sa e çmuar qe ndihma e Atë Kolbes, i cili u kujtonte se nuk ishin e nuk mund të bëheshin numra. Më 31 korrik, një i burgosur ikën. Rojet mbledhin menjëherë të burgosurit e i lajmërojnë se do të marrin hak: do të zgjedhin dhjetë burra, të cilët do të vriten menjëherë.
Ndërmjet të caktuarve për plumb, njëri qan me dënesë. Quhet Françesk Gajovniçek. Duket se mendon për gruan e fëmijët, që nuk do t’i shikojë kurrë më. Atëherë atë Kolbe shkëputet nga grupi i të burgosurve dhe i afrohet orficerit nazist, i cili çirret: “Ç’kërkon ky polak i fëlliqur!”.
Atë Kolbe, pa e humbur fare qetësinë, i tregon me gisht të burgosurin e mbytur në lot.
“Unë jam meshtar polak katolik, jam i shkuar në moshë e dua të zë vendin e tij, sepse ai ka grua e fëmijë”.
Për një çast komandanti nazist, i njohur për egërsinë e tij, mbetet pa gojë nga habia. Ç’ po mendon vallë? Të gjithë presin me ankth… Janë gati të sigurtë se do ta vrasë atë Kolben, pa e kursyer njeriun, që qan për familjen e largët. Por jo! Për çudinë e të gjithëve, nazisti i jep urdhër Françesk Gajovniçekut të ndahet nga grupi i të dënuarve e Maksimilianit, të zërë vendin e tij.Meshtari polak dha jetën për një njeri, të cilin as që e njihte. Në vitin 1982 Papa Gjon Pali II e shpalli Shenjt. Mes turmës vigane, që ndiqte kremtimin, ishte edhe një burrë tepër i emocionuar: Françesk Gajovniçek. Doli i gjallë nga kampi i Aushvicit e, falë flijimit të Meshtarit Shenjt, mundi ta përqafojë përsëri familjen.







All the contents on this site are copyrighted ©.