2008-11-22 14:27:14

365 ditë: "Kisha kundër kodit nazist Aktion T4 për zhdukjen e njerëzve me kufizime mendore".


(21.11.2008 RV)Kur lindim, të gjithë ndryshojmë njëri nga tjetri. Asnjeri nuk është i ngjashëm me tjetrin. E nganjëherë këto ndryshime janë tepër të theksuara. Herë ndryshojnë trupat, herë mendjet e herë ndjeshmëritë. Ka njerëz që lindin me kufizime e njihen si handikapatë. Duke hyrë në kontakt me ta, nuk duhet të përqendrohemi tek pamja e jashtme, por tek shpirti, gjë që na ndihmon të bëhemi më njerëzor. Nganjëherë ndryshimet e tyre i detyrojnë të afërmit t’ua besojnë instituteve të posaçme, që merren me ta.
Në rrjedhë të historisë shpesh herë i trajtuan mizorisht. Disa arritën deri atje, sa të mendojnë se njerëzit me kufizime mendore ose fizike, nuk kanë të drejtë për të jetuar. Në Gjermani mendonin kështu Hitleri dhe anëtarët e partisë së tij, nazistët. E kur morën pushtetin, nisën t’i venë në jetë idetë e tyre.
Duke filluar nga viti 1940 urdhërohet të bëhen hetime, për të hartuar listën e njerëzve të pazhvilluar, që nuk janë të aftë për punë. Këta njerëz çohen në vende të posaçme, që i ngjajnë fortesave. Atje është një kapanon, mbi çatinë e të cilit lartohet një oxhak i zi, i frikshëm. Vendi është fare i shkretë e teli me gjemba të kujton se duhet larguar menjëherë tundimi për t’iu afruar. Të sëmurët mendorë i zbresin nga makinat. I zhveshin. U shkruajnë një numër mbi kurriz. I çojnë në kapanonin, që i ngjet banjos me dush. Pas tyre porta mbyllet. Nga dushi del… gaz. Pak minuta më vonë mjekët vërtetojnë forcën e gazit dhe epërsinë e kësaj teknike mbi të gjitha të tjerat, që janë përdorur deri në atë çast për të mbytur njerëz. Kur, më 1940, disa ipeshkvij marrin vesh ç’po ndodh, protestojnë.
“Kurrë, në asnjë rrethanë - përveç kushteve të luftës dhe mbrojtjes së ligjshme – njeriu nuk ka të drejtë të vrasë një të pafajshëm” – shkruajnë.
E mbi bazë të kësaj letre imzot Galen, ipeshkëv i Mynsterit, mban një sërë predikimesh ndërmjet 13 korrikut e 3 gushtit 1941. Është i vetmi që ngre zërin publikisht. Padit politikën nacional-socialiste dhe proteston për vrasjen e të sëmurëve mendorë. Nuk e lejojnë më të predikojë, sepse fjalët e tij shkaktojnë emocion të jashtëzakonshëm. Protestat arrijnë tek numri 4 i Tiergartenstrasse, qendër administrative e operacionit, që njihet me emrin në kod, Aktion T4. Nazistët detyrohen ta rishikojnë qëndrimin e tyre. Më 24 gusht Hitleri i jep fund programit të eutanazisë. Por ndërkaq në dhomat e gazit gjejnë vdekjen më se shtatëdhjetë mijë njerëz të pafajshëm. E, ç’është edhe më tragjike, nis përdorimi i teknikave të vdekjes, të cilat do të vijojnë më pas të përdoren në kampet e përqendrimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.