2008-11-21 16:33:48

Vdiq don Luigj Kçira, meshtar i urtë, i mbijetuar nga persekutimi komunist


(21.11.2008 RV)Me hidhërim të madh, njoftojmë se u nda nga kjo jetë dje në Shkodër, don Luigj Kçira, meshtar i urtë e devotshëm, i mbijetuar nga regjimi komunist, për t’i shërbyer me besnikëri fesë në ditët kur ajo u lirua nga prangat e diktaturës.
Lindi në vitin 1925 në Shkodër. Mësimet i ndoqi në gjimnazin “Illyricum” të françeskanëve. Në vitin 1945 u arrestua më shumë të rinj të tjerë, të grupit “Bashkimi Shqiptar”, me në krye seminaristin Mark Çuni. Mbajti një qëndrim shembullor, duke mbrojtur Atë Gjon Faustin e Atë Daniel Dajanin, që u akuzuan si organizatorë e frymëzues të grupit. Ja dëshmia e tij:
“At Fausti e At Dajani, nuk dijnë kurrgja se unë kam hjellë trakte. Ata mi ka dhanë Mark Çuni e Gjergj Bicaj. Unë i kam lanë në shtëpi të Gjovalin Zezaj, dhe bashkë me té kemi dalë me i shpërnda. Këtë e ka dijtë edhe xhakoni Gjon Shllaku e Zef Kuqi. Tue i shpërnda na ka kapë Kol Shytani e Gjon Prennushi, dhe jemi arrestue atë natë, më 27 nandor 1945. Kush na paditi s’e dij”.
U dënua me 10 vjet burg. Lirohet më 1955 e më pas shugurohet meshtar nga imzot Ernest Çoba më 24 mars 1963. Meshën e parë e thotë në Kishën e Arrës së Madhe, më 13 mars 1991, vetëm pas rihapjes së kishave në Shqipëri. Funerali do të mbahet nesër në orën 11 në katedralen e shën Shtjefnit në Shkodër. Të dëgjojmë informacionin e Jolanda Babës.....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.