2008-11-21 19:15:29

Sot, në festën e Paraqitjes së Marisë në tempull, Kisha kremtoi Ditën ‘Pro orantibus’.


(21.11.2008 RV)Mbi këtë paraqitje të Zojës në tempull, për t’iu kushtuar Zotit qysh në fëmijëri të parë, na flasin vetëm tradita e shkrimet apokrife. Liturgjia lindore e shënon ketë festë që në shekullin e katërt, ndërsa në Perëndim hyri në Kishë rreth shekullit XIV.
E kremtja përkujton kushtimin e Virgjërës Hyut me shpirt e me trup. Zonja me ketë akt bëhet modeli i gjithë atyre të cilët, aty e mbrapa, do t’i kushtohen Zotit me jetën rregulltare.
Prandaj sot, në përkujtimin liturgjik të Paraqitjes së Zojës së Bekuar në tempull, Kisha kremton edhe Ditën Pro orantibus, kushtuar kryesisht rregulltareve të klauzurës. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 20 nëntorit 2006, enedikti XVI pati kujtuar se kuvendet e jetës kundruese u ofrohen njerëzve si oaza të Shpirtit e u bëjnë mirë të gjithëve. Maria, që paraqitet në tempull, është ikonë profetike e atyre që dhurojnë jetën për lavd e lumni të Zotit e për kthimin e zemrave, përmes kushteve rregulltare. Kisha u shpreh mirënjohjen Zotit për këtë dhuratë dhe i kushton vëmendje të veçantë manastireve, posaçërisht atyre që kalojnë çaste të vështira.
Gjatë Ditës kushtuar rregulltareve të klauzurës, themeluar nga Piu XII më 21 nëntor 1953, besimtarët luten për ata që ia kushtojnë gjithë jetën kundrimit, duke bashkëpunuar në këtë mënyrë për ndërtimin e mbretërisë së Hyjit. Zgjedhja e rrugës kundruese nuk është e rastit: buron nga dashuria e thellë, pa kushte, për Krishtin dhe nga dëshira për të marrë pjesë shpirtërisht në problemet e Kishës e të botës. Shembulli i murgeshave mund të kthehet në forcë tërheqëse e t’i japë hov ecjes në gjurmët e Krishtit, që kërkohet nga çdo i pagëzuar.
Kjo Ditë u kujton gjithë të krishterëve se Krishti duhet të jetë në qëndër të jetës së tyre, se duhet të luten e të dëgjojnë fjalën e Zotit, për ta jetuar plotësisht fenë e tyre.

Kujtojmë se në Itali ka 534 kuvende klauzure me 6. 800 murgesha e 360 rishtare. Në vendet e ndryshme të Evropës numrohen 1. 800 kuvende, në Afrikë, 90, në Azi 180, në SHBA 190, në Amerikën Jugore 740, gjithsejt 3. 534 kuvende femërore klauzure në mbarë botën me 47. 626 murgesha e 8. 107 rishtare.

Por ndokush vijon të pyesë: ç’kuptim e ç’vlerë mund të ketë prania e tyre në kohën tonë, përballë situatave të shumta e urgjente të varfërisë e të mjerimit?
Pse ‘të mbyllen’ përgjithmonë ndërmjet mureve të një manastiri e t’i lënë të tjerët pa ndihmesën e aftësive e përvojave të fituara? Ç’fryt mund të ketë lutja e tyre për zgjidhjen e problemeve të shumta konkrete, që vijojnë ta trondisin njerëzimin?
Përgjigjen e kësaj pyetjeje e jep, në mikrofonin tonë, eprori i përgjithshëm i Vëllezërve të vegjël françeskanë, atë Josè Rodriguez Carballo, duke komentuar fjalët që tha sot Papa:

Përgjigje: - Dua të nënvizoj vetëm se në fjalët e Atit të Shenjtë ndjehet gjithnjë dashuria e madhe për jetën rregulltare e për jetën murgare. Ati i Shenjtë, përveç asaj që thotë, e bën të prekshme këtë dashuri e këtë besim, duke marrë pjesë e duke e dëshmuar jetën rregulltare, gjë që për ne ka vlerë të veçantë. E për këtë, nuk mund të mos e falënderojmë Atin e Shenjtë.

Pyetje: - Ç’kuptim ka të jesh murg në një kohë kaq të ndërlikuar, si jona?

Përgjigje: - Ati i Shenjtë pikërisht në fjalimin e sotëm theksoi se thirrja për jetë murgare, është thirrje për të kërkuar Zotin, e kjo është thirrje e madhe e shenjë profetike e jetës murgare në botën e sotme. Në një kohë, kur duket se Zoti nuk ekziston më, ose më mirë të themi, kur shumkush sillet sikur të mos ekzistonte, murgu i kujton botës se Zoti jo vetëm ekziston, por duhet të jetë në krye të vendit, sepse njeriu pa Zot nuk mund të realizohet plotësisht.
 
Kujtojmë se edhe në Shqipëri prej vitesh janë të pranishme manastiret e murgeshave të klauzurës. E, për të patur një ide të saktë mbi këto oaza, që lulëzojnë në mes jetës së trazuar shqiptare, e sidomos mbi fjalën ‘klauzurë’, të dëgjojmë motër Lulen, një nga klaustralet më të reja të Shkodrës, që jetojnë duke u lutur mes mureve ku jo shumë kohë më parë martirizoheshin njerëzit e Kishës:....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.