2008-11-21 19:18:58

Papa Kongregatës për jetën rregulltare: “Manastiret ta mësojnë botën si ta kërkojë Zotin.


(21.11.2008 RV)RealAudioMP3 Manastiret janë oaza shpirtërore. I tregojnë botës atë që është themelore: “Të kërkojë Krishtin, pa e kundërshtuar kurrë dashurinë e tij”. Këtë pohoi sot paradite Papa, duke pritur në audiencë pjesëmarrësit në mbledhjen plenare të Kongregatës për Institutet e jetës rregulltare dhe Shoqatat e jetës apostolike, e cila sivjet kremtoi njëqind vjetorin e veprimtarisë.
Tema e Plenares së dikasterit i kushtohej jetës murgare, posaçërisht e dashur për Benediktin XVI. E pikërisht për vlerën e jetës murgare në histori foli Papa, duke nënvizuar qëllimin e saj…:
 
të kërkojë Hyjin e ta kërkojë përmes Jezu Krishtit, që e bëri të njihet në botë (cfr Gjn 1,18), duke u përpjekur ta ngulë vështrimin mbi realitetet që nuk shihen, që janë të përjetshme (cfr. 2 Kor 4,18), në pritje të ardhjes së lumnueshme të Shëlbuesit tonë Jezu Krishtit ( cfr Tt 2,13)”.
 
Manastiret bëhen oaza shpirtërore, që i tregojnë njerëzimit epërsinë e plotë të Hyjit, në adhurim të vazhdueshëm të pranisë hyjnore, misterioze por reale, në botë e në bashkim vëllazëror, të jetuar sipas urdhërimit të ri të dashurisë e të shërbimit reciprok, duke përgatitur kështu dukjen përfundimtare të bijve të Hyjit:

“Kur murgjërit e jetojnë rrënjësisht Ungjillin, kur i kushtohen plotësisht jetës kundruese, duke kultivuar thellësisht bashkimin me Krishtin… monakizmi bëhet shembull për të gjitha format e jetës rregulltare e të përkushtuar, duke treguar atë që është themelore e që ka më shumë epërsi në jetën e çdo të pagëzuari: të kërkosh Krishtin e të mos e kundërshtosh kurrë dashurinë e Tij”.
 
Rruga që na tregon Zoti për këtë kërkim e për këtë dashuri – vijoi Benedikti XVI – është vetë Fjala e tij, e cila në Librat e Shkrimit të Shenjtë krijon mundësi të pafundme reflektimi për të gjithë njerëzit. E pikërisht duke u nisur nga dëgjimi në uratë i kësaj Fjale, në manastire lind heshturazi lutja, e cila bëhet dëshmi për ata që priten si të ishin vetë Krishti në këto vende paqeje e lartohet drejt qiellit për të mirën e mbarë njerëzimit.

T’i lutemi Marisë, gruas së dëgjimit, Nënës së Zotit, që nuk e kundërshtoi kurrë dashurinë e Birit të Hyjit, të lindur prej Saj, t’i ndihmojë bashkësitë e jetës rregulltare e posaçërisht ata murgare, për t’i qëndruar besnike thirrjes së tyre. Uroj që manastiret të jenë gjithnjë më shumë oaza të jetës asketike, ku ndjehet tërheqja e fuqishme e bashkimit të plotë me Krishtin e ku zgjedhja e Absolutit të Hyjit rrethohet me atmosferën e përhershme të heshtjes e të kundrimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.