2008-11-21 15:25:12

Motrat ‘Bijat e Dashurisë Hyjnore’ kremtojnë 140 vjetorin e themelimit.


(21.11.2008 R.V.)Mbi vlerën e këtij përvjetori dhe veprimtarinë e sotme të Motrave Bijat e Dashurisë Hyjnore në trevat shqiptare, në mikrofonin e Radio Vatikanit flet motër Florinda Shkrepa nga Laçi i Kurbinit, Shqipëri.
1. Motër Florinda diçka mbi Historikun e Motrave Bijat e Dashurisë Hyjnore?........RealAudioMP3
"Kongregata jonë Bijat e Dashurisë Hyjnore u themelua nga nëna Franciska Lechner në Vjenë të Austrisë më 21 nëntor 1868, festën e Paraqitjes së Zojës-pra 140 vite. Si çdo themelues edhe Themeluesja jonë ka pasur vështirësitë e veta në proçesin e themelimit të Kongregatës, por atë që Zoti e kishte mbjellur në shpirtin e saj që nga fëmijëria ajo u mundua ta rrisë e zhvillojë me anë të fesë dhe kështu dëshira për t’ju kushtuar Zotit dhe të varfërve u bë realitet. Më 5 nëntor të vitit 1880 miratimi i statutit të Kongregatës nga ana e kryeipeshkvisë së Vjenës. Më daten 26.7.1884 me dekretin papnor u miratuan përkohësisht qëllimet e Kongregatës dhe u lejua statuti. Më 18 gusht 1897 u miratua përfundimisht Kongregata e Bijave të Dashurisë Hyjnore. Qëllimi i Kongregatës ishte t’i ndihmojë vajzat e varfëra (që në atë kohë vinin në qytet dhe nuk kishin mbështetje), edukimi dhe arsimimi, duke bërë të dukshme dashurinë e Zotit ndër njerëz për shpëtimin e shpirtërave. Jemi Kongregatë e hapur për nevojat e Kishës, me anë të apostullatit tonë shoqërorë, edukativ dhe baritorë. Sipas statistikës së këtij viti jemi 1200 anëtare të Kongregatës që veprojmë në Europë, në Amerikën Veriore, Jugore dhe në Afrikë.
Motoja jonë është “Gjithçka për Zotin, për të varfërit dhe për Kongregatën”.

    Motër Florinda, si arrini ta aktualizoni karizmën e nënës Franciska Lechner në realitetin e sotëm shqiptar?

"Duke pasur parasysh qëllimin e Themelueses për këtë Kongregatë dhe realitetin e sotëm shqiptarë, mund të them se karizma jonë i përputhet plotësisht nevojave të Kishës dhe shoqërisë në të cilën jetojmë. Ajo dëshironte që ne si Bija të Dashurisë Hyjnore, këtë dashuri që e marrim nga Zoti-Trini burim i pashtershëm dashurie, ta derdhim pra dhurojmë për të tjerët. E kjo vihet në veprim me anë të mjeteve të ndryshme, veprimtarive dhe aktiviteteve. Pra këtë edhe ne e aktualizojmë me apostullatin tonë shoqërorë, edukativ dhe baritorë, sipas nevojave të Kishës e shoqërisë tonë shqiptare, e cila ka nevojë për nxitje dhe shpresë. Ne si Bija të Dashurisë Hyjnore që veprojmë në Kosovë e Shqipëri, në çdo veprimtari që bëjmë mundohemi që si Themeluesja jonë ta bëjmë të dukshme dashurinë e Zotit në tokë".


    Ju si Motra Bija të Dashurisë Hyjnore në të cilat vende jeni të pranishme ndër shqiptarë?

Veprimtaria e motrave tona ndër shqiptarë ka filluar në vitin 1961 në Kosovë, ku tani për tani kemi dy bashkësi – në Binçë dhe Ferizaj. Aty motrat merren me katekizëm, përgatitje liturgjike,vizita nëpër familje, në fshatin Binçë të Vitisë kemi dhe një ambulancë, ku njerëzit vinë pandërprerë për shërbime të ndryshme. Atëherë pas lirisë së fesë në Shqipëri, Bijat e Dashurisë Hyjnore tregojnë gatishmërinë e tyre për nevojat e Kishës dhe në vitin 1992 vinë në Laç të Kurbinit, gjithashtu kemi dy bashkësi formimi (për kandidate dhe novice) në Shkodër dhe një në periferi ku motrat punojnë në famullinë e Grudës. Prej gati dy viteve shërbejmë edhe në Tiranë – në Arqipeshkëvni. Veprimtaria jonë është e shtrirë edhe ndër shqiptarët që ndodhen jashtë vendit – në Zvicër, prej vitit 2001, ku motrat tona punojnë në Misionin Katolik për Shqiptarë dhe kryesisht atje merren me katekizëm e apostullat e punë tjera që kërkon Kisha e veprimtaria ungjillëzuese.
Këtu mund të dëgjoni intervisten tonë me motrën Florinda Shkrepa.....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.