2008-11-21 19:20:05

Kardinali Kordes: të mirat materiale të Kishës duhet t’i shërbejnë çështjes së ungjillëzimit.


(21.11.2008 RV)Pak ditë më parë u kthye në Romë nga SHBA, kardinali Pol Jozef Kordes, kryetar i Këshillit Papnor Cor Unum, dikaster i Vatikanit, i ngarkuar të promovojë veprimtarinë bamirëse të Kishës. Kardinali u takua me ipeshkvijtë amerikanë, mbledhur në Baltimora, në Asamblenë e tyre plenare, mbajti dy konferenca kushtuar elementeve teologjike të Enciklikës së parë të Benediktit XVI ‘Zoti është dashuri’ dhe u takua me një grup prej 50 ipeshkvijsh, me të cilët shkëmbeu mendime për temën e bamirësisë në SHBA. Në mikrofonin e Radio Vatikanit, kardinali Kordes e shpjegoi kështu qëllimin e vizitës së tij:....RealAudioMP3
Përgjigje: - Kjo nismë lindi sepse Enciklika e Papës ‘Deus Caritas est’ pati një ndikim të madh mbi veprimtarinë e ipeshkvijve në fushën bamirëse. Desha ta theksoj këtë aspekt e t’u kujtoj prelatëve përgjegjësitë e tyre. Nganjëherë ipeshkvijtë i shikojnë veprat e bamirësisë të shkëputura nga misioni kishtar. Me që vijnë shumë ndihma nga bamirësit e jashtëm të Kishës, ata që i mbarështojnë duhet të kenë gjithnjë parasysh se Zoti bëri mirë edhe për të shpallur Ungjillin: ja pse misioni bamirës i Kishës lidhet ngushtë me misionin kishtar, që ka si synim kryesor pikërisht kumtimin e Ungjillit. Ipeshkvijtë, prandaj, duhet ta kenë gjithnjë në qendër të vëmendjes çështjen e ungjillëzimit, pjesë përbërëse e së cilës është edhe ndihma bamirëse.

Pyetje: - Mbi bazë të asaj që patë gjatë këtij udhëtimi, cilat janë sfidat e reja për strukturat karitative në SHBA?

Përgjigje: - Është gjithnjë i pranishëm tundimi i shekullarizmit. Karitasi i ipeshkvijve amerikanë në ndihmë të vendeve të tjera, që quhet ‘Catholic Relief Services’ (CRS), ka një budget, një preventiv vjetor prej më se 500 milionë dollarësh e dy të tretat e tij vijnë nga shteti. Kjo do të thotë se shteti kërkon një bilanc të saktë, kërkon dëftesa, kërkon punë administrative e, prej këndej, agjensia natyrisht merret shumë me këto aspekte: për kontrollin, duhet të bashkëpunojë me funksoinarët specialistë e kështu, me pak fjalë, lind edhe prirja për t’u ndarë nga Misioni kishtar. Ky shekullarizëm që pashë në SHBA vlen edhe për vendet e Evropës. Për shembull, në Gjermani, Karitasi ka 500 punonjës, të paguar prej tij. E kjo tregon se shikohen më shumë efektet shoqërore, sesa interesi për fenë. Enciklika e Papës ‘Deus Caritas est’ është shumë, shumë e rëndësishme, sepse nënvizon që misioni i Kishës ka gjithnjë dy faqe: atë të shpalljes së Fjalës së Zotit e atë të bamirësisë, gjë që tregon se Zoti e do popullin e vet.







All the contents on this site are copyrighted ©.