2008-11-21 16:42:11

Gjendja e të krishterëve në Irak. Intervistë me ministrin e jashtëm italian, Fratini.


(21.11.2008 RV)Edhe sot ditë dhune në Irak. Tre vetë janë vrarë e 19 të tjerë, ndër të cilët tre policë, janë plagosur nga shpërthimi i bombave në Bagdad. Po në kryeqytetin irakian, mijëra vetë manifestuan kundër marrëveshjes për sigurinë, nënshkruar nga qeveria irakiane me SHBA-të, e cila parashikon tërheqjen e trupave amerikane deri në vitin 2011. Dje, presidenti irakian Talabani siguroi një impenjim më të madh në mbrojtje të bashkësive të krishtera, duke propozuar gjithashtu edhe pjesëmarrjen e tyre politike në këshillat provinciale. Deklarata këto, të bëra gjatë bisedimeve me ministrin e jashtëm italian Franko Fratini:
Anëtarët e bashkësisë së krishterë priren të largohen nga vendi. Kjo, nga njëra anë, po krijon një perceptim të qartë në qeveri dhe në presidencën e Republikës, përsa i përket interesit strategjik, kulturor, fetar, e madje edhe politik, që të krishterët të qëndrojnë e të mbrohen nga shteti. Kryeministri i Irakut më tha se mbrojtja e të krishterëve është detyrë e jo favor i qeverisë.
Aspekti tjetër, zoti ministër, është prania e të krishterëve në jetën civile të demokracisë irakiane. Ç’mund të themi për këtë?
Unë mund të them se kam disa të dhëna. Qeveria e re e Irakut, që po përballon një fazë të rëndësishme tranzicioni, ka në gjirin e vet dy ministra të krishterë e dy zv-ministra. Njëri ndër ta është ministri i fuqishëm i industrisë. Përsa u përket administratave lokale, mund të them se presidenti Talabani dëshiron të ndërhyjë në ligjin e ri zgjedhor, duke dyfishuar praninë minimale të garantuar të të krishterëve, që parashikon ky ligj.







All the contents on this site are copyrighted ©.