2008-11-20 15:58:21

“Jetojmë në një botë ku është më e thjeshtë të gjesh armë sesa ushqim.” Denoncimi i Imzot Miljores për dyfishimin e impenjimit kundër trafikut të armëve.


(20.11.2008 RV)RealAudioMP3 Pasojat tragjike të trafikut të paligjshëm botëror të armëve kërkojnë nga bashkësia ndërkombëtare të dyfishohet impenjimi për të krijuar mekanizma të reja kontrolli. Kështu u shpreh Nunci Apostolik, Imzot Çelestino Miljore, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë Shenjte pranë OKB-së dje, në Nju Jork, mbi debatin për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë nëpërmjet çarmatimit.
“Mungesa e normativave dhe e veprimeve konkrete për ta ulur vëllimin e tregtisë së armëve në nivel botëror ka krijuar një botë në të cilën është më e thjeshtë të gjesh armë sesa ushqim, strehim e arsimim.” Ky qe denoncimi pa doreza i Imzot Miljores që pranoi se rezoluta e Asamblesë së fundit të Përgjithshme të OKB-së titulluar “Drejt një traktati mbi trafikun e armëve”, përfaqëson një hap përpara, por kërkon që edhe impenjimi të dyfishohet. Në denoncim u nënvizua se vetë lehtësia me të cilën gjehen armët përbën shkakun e parë që “tensionet e vogla të shpërthejnë menjëherë në konflikte ose konfliktet të zgjaten”. Imzot Miljore përmendi edhe denoncimin e një delegati afrikan në selinë e Kombeve të Bashkuara, sipas të cilit “për çdo afrikan ka shtatë fishekë të paligjshëm dhe tri armë të gatshme.”







All the contents on this site are copyrighted ©.