Dukuria e emigracionit në Azi: një “zonë profetike” së cilës Kisha dëshiron t’i shërbejë
nëpërmjet mikpritjes.
(20.11.2008 RV)Të zhvillohet një
dialog në tri nivele: me emigrantët, me të varfërit dhe me kulturat e ndryshme e me
fetë – “për një përkujdesje më të mirë baritore për emigrantët dhe refugjatët e Azisë,
në këtë agim të mijëvjeçarit të tretë”. Pikërisht këto qenë titulli dhe synimi i Kongresit
të parë Aziatik të Baritorisë për Emigrantët, zhvilluar së fundmi në Bangkok, me nismën
e dikasterit papnor, ku morën pjesë kard. Renato Rafaele Martino dhe kryeipeshkvi
Agostino Marketo. Po cilat qenë disa nga përfundimet e këtij kongresi? Rrugët e
emigracionit përshkohen çdo vit nga 200 milionë vetë: njerëz që shkojnë në kërkim
të një pune, të rinj që shpresojnë për një cilësi më të mirë studimesh, të dëshpëruar
që ikin nga dhuna. Është e pamundur për Kishën pra, të mos e marrë parasysh këtë lumë
njerëzish, të cilit i duhet kushtuar një vëmendje e re, nëpërmjet solidaritetit dhe
baritorisë. Kjo përbën thelbin e dokumentit përfundimtar nënshkruar nga pjesëmarrësit
në Kongresin e parë Aziatik të Baritorisë për Emigrantët dhe Endacakët. Nga Kina në
Indi, nga Filipinet në Mianmar e në Emiratet Arabe, ipeshkvijtë dhe specialistët e
pranishëm në Bangkok, ranë dakord për t’u përballuar me çështjen e emigrimit përmes
një dialogu tripalësh: me emigrantët dhe refugjatët; me ata që janë të varfër dhe
të braktisur në botën aziatike dhe në fund, me mozaikun e pasur të kulturave, gjuhëve
dhe të traditave të lashta fetare të Azisë. “Nga ana e saj Kisha – thuhet në dokument
– ka si detyrë “që të hapë me guxim rrugë të reja për një udhë me shpresa për ata
që vuajnë dhe që janë të dëshpëruar. Dhe vetë fakti që emigrantët janë vazhdimisht
në gjendje të rrezikshme e rrit përgjegjësinë e Kishës për nxitjen e kulturës së mikpritjes.”-
thuhet në këtë dokument.