2008-11-20 15:04:54

365 ditë: "Zhan Plakevâ themelon një familje për jetimët".


(20.11.2008 RV)Sapo arrin në vend, taksia ndalohet me zhurmë. Rrethohet menjëherë nga një turmë fëmijësh në festë. I lum për këtë pritje, don Zhani përkëdhel kokat e fëmijëve, të cilët kërcejnë gëzueshëm rreth tij, e i pyet për familjet e tyre. Shoferi i taksisë nuk u beson veshëve. Ndërtesa e madhe, para së cilës u ndalua, është jetimore e meshtari u flet fëmijëve për familje. Dy gjëra që nuk shkojnë bashkë.
Por fjalët e don Zhanit nuk janë e vetmja gjë që e çudit shoferin. Ai vëren menjëherë se fëmijët nuk janë të veshur me uniformën e zezë, që mbajnë zakonisht jetimët e që u jep një pamje tejet të trishtuar. Një gjë tjetër e çuditshme: jetimorja duhet të jetë e përzjerë, sepse taksisti shikon djem e vajza që luajnë së bashku.
“Më falni Atë, a mund të marr guximin t’ju bëj një pyetje; ç’është kjo shtëpi?”.
“Quhet ‘Essor’- ‘Fluturim’. Si e tregon vetë emri, ka për qëllim t’u rikthejë krahët zogjve të rënë nga foleja. T’u jape krahë e qiell! Domethënë, atë dashuri, që do t’u krijojë mundësinë të ecin me këmbët e veta në jetë”.
Shoferi niset përsëri, pasi përshëndet meshtarin e fëmijët. “Edhe një tjetër, që çuditet nga shtëpia jonë”, mendon don Zhani, ndërsa shikon taksinë, që largohet. Në të vërtetë ‘Essor’ nuk është jetimore si të gjitha të tjerat. Së pari, është institut i përzjerë (të paktën derisa fëmijët mbushin shtatë vjeç), e kjo, për të mos i ndarë vëllezërit nga motrat. Së dyti, fëmijët ndahen në grupe me dhjetë vetë të të gjitha moshave. Fëmijët e grupit zhvillojnë të njëjtat veprimtari e edhe hanë së bashku, si në një familje të vërtetë. Don Zhani ka gjetur ca gra të afta, që i kushtohen edukimit të këtyre fëmijëve e kujdesen secila për një ‘familje’, domethënë për një grup. Edhe mësimet janë origjinale. Në Institut fëmijët përvetësojnë të gjitha lëndët, që mësohen zakonisht në shkollë: matematikë, gramatikë... por mësojnë edhe vlerësimin për të bukurën, respektin për tjetrin e, sidomos, gëzimin e të jetuarit.Zhan Plakevâ e organizoi kështu jetën në institut, duke e kuptuar se gjëja e parë për të cilën kishin nevojë jetimët, ishte dashuria, e jo disiplina. Aq më pak mëshira! Sipas don Zhanit, në se dëshiron ta ndihmosh fëmijën të ndërtojë të ardhmen, duhet krijuar diçka që ndryshon nga jetimoret e zakonshme. E kështu në vitin 1939 lindi ‘Essor’, që do t’i hapte rrugën një sërë jetimoreve të tjera të kësaj natyre. Sipas këtij modeli do të lindte edhe “Fshati i fëmijëve’, ku jetojnë së bashku djem e vajza të të gjitha moshave, për të mos i ndarë vëllezërit e motrat edhe pasi mbushin shtatë vjeç e nisin t’u rriten krahët, për fluturime të reja....







All the contents on this site are copyrighted ©.