2008-11-19 17:56:46

Tbilisi dhe Moska në OKB për çështjen e Kaukazit


(19.11.2008 RV)Gjykata ushtarake që po shqyrton çështjen e vrasjes së gazetares ruse, Ana Politkovskaja bëri një hap mbrapa dhe lajmëroi se procesi do të zhvillohet me dyer të mbyllura. Ndërkaq, në Rusi u miratua me 351 vota pro dhe 57 kundër, amendamenti i Kushtetutës që zgjat në 6 vjet mandatin presidencial, i cili tani është vetëm 4 vjet. Teksti duhet të miratohet akoma nga senati rus e parlamentet rajonale. Në fund i nevojitet firma e presidentit.
Nga ana tjetër, Rusia përpiqet t’i përgjigjet NATO-s, sekretari i përgjithshëm i së cilës, Jap De Hop Skefer, dje në Valencia të Spanjës, inkurajoi Gjeorgjinë të bëjë hapa përpara për integrimin në Paktin e Atlantikut. Nën denoncimin rus se gjeorgjianët po riarmatosen, delegacionet e Moskës e të Tbilisit, të udhëhequra nga zv.ministrat e jashtëm, u takuan sot në Pallatin e Qelqit në Nju Jork për të diskutuar mbi konfliktin e Kaukazit. Më 15 tetor, seanca e parashikuar në Gjenevë, u pezullua për shkak të divergjencave mbi statusin përfaqësues të funksionarëve të ardhur nga republikat separatiste të Abkhacias dhe të Osetisë së Jugut.







All the contents on this site are copyrighted ©.