2008-11-19 17:54:15

Papa në audiencën e përgjithshme: “Vetëm dashuria është kriter i drejtësisë"


(19.11.2008 RV)RealAudioMP3 “Ligji përmblidhet dhe zbatohet plotësisht në dashurinë për Zotin e për të afërmin”: kështu u shpreh Papa në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, katekizmin e së cilës ia kushtoi doktrinës së shfajsimit, sipas Shën Palit. Benedikti XVI e zhvilloi reflektimin duke u nisur nga lidhja e veprave me fenë, në Letrat e Apostullit të Popujve.
Në Letrën drejtuar Filipianëve – kujtoi Benedikti XVI – Shën Pali na jep një dëshmi prekëse të kalimit, pas Shndërrimit të tij, nga një drejtësi e bazuar mbi Ligjin dhe e fituar me anë të veprave të tij, në një drejtësi të fituar nga feja në Krishtin:

Ai e kuptoi se gjithçka, që deri atëherë i qe dukur si fitim, në të vërtetë përballë Zotit ishte humbje e vendosi, prandaj, ta shkrinte gjithë jetën e vet për Jezu Krishtin”.

 
Në se para takimit të tij me të Ngjallurin, Pali e ndjente veten njeri të realizuar, të paqortueshëm përsa i përket drejtësisë së bazuar mbi Ligjin, tani shndritja në rrugën e Damaskut, ia ndryshoi rrënjësisht jetën:

“E pikërisht përmes kësaj përvoje personale në lidhje me Jezusin, Pali vë në qendër të Ungjillit të tij papajtueshmërinë ndërmjet dy rrugëve të mundshme, të cilat e çojnë njeriun tek drejtësia: njëra, që përbëhet nga veprat e Ligjit, tjera, e bazuar mbi hirin e fesë në Krishtin”.

“Ne jemi prej natyre hebrenj e jo mëkatarë nga paganizmi. Dhe e dimë tashti se njeriu nuk shfajsohet në sajë të veprave të Ligjit, por vetëm në sajë të fesë në Jezu Krishtin. Prandaj ne besuam në Krishtin, që ta fitojmë drejtësinë nga feja e Krishtit, e jo nga veprat e Ligjit, sepse askush nuk do të mund ta fitojë drejtësinë me anë të veprave të Ligjit – shkuan Apostulli i Popujve në Letrën drejtuar Galatasve (cfr. Gal 2,15-16).
Shikohen, prandaj, si relative, veprat që duhen kryer, sjelljet e ndërlikuara, të parashikuara nga Ligji, domethënë nga Torah në tërësi, në të pesë librat e Moisiut:
 
“Të jesh i drejtë do të thotë vetëm të jesh me Krishtin e në Krishtin. E kjo mjafton. Nuk është nevoja për vepra të tjera”.

 
Gjithsesi – saktësoi Papa – ky çlirim nga rregullat rituale e kultuale nuk do të thotë shthurje, shpërdorim i lirisë, çlirim nga normat e moralit, siç mendonte ndokush në bashkësinë e Korintit:

“E kemi të qartë se ky shpjegim është i gabuar: liria e krishterë nuk është libertinizëm; çlirimi, për të cilin flet Shën Pali, nuk është çlirim nga detyra për të bërë mirë”.

 
Nga ana tjetër - shpjegoi Benedikti XVI - këto rregulla, që nga rrethprerja, tek normat e ushqimit të pastërt, shprehnin një identitet fetar e shoqëror. E pikërisht ky identitet në Izrael kërcënohej në mënyrë të posaçme nga kultura helenistike, e cila asokohe ishte sunduese. Përballë kësaj kulture, në dukje racionale, hebrenjtë përpiqeshin të fshiheshin pas mburojës e të ngrinin mure mbrojtëse. Vetë Pali i persekuton të krishterët, sepse i shikon si kërcënim për identitetin e Izraelit. Por, me Ngjalljen e Krishtit, gjithçka ndryshon:

“Me Krishtin, Hyji i Izraelit, Hyji i vetëm e i vërtetë, bëhet Hyj i mbarë popujve. Muri – kështu thotë Shën Pali në Letrën drejtuar Efezianëve – ndërmjet Izraelit e paganëve nuk është më i nevojshëm: është Krishti, ai që i mbron kundër politeizmit e dredhimeve të tij; është Krishti ai, që i bashkon me e në të vetmin Hyj; është Krishti ai, që garanton identitetin tonë, në larminë e kulturave”.

 
Më pas Benedikti XVI citoi edhe interpretimet që i bëri Martin Luteri fragmentit të Letrës së Shën Palit drejtuar Romakëve, sipas së cilës: “Të gjithë mëkatuan dhe u përjashtuan nga lumturia e Hyjit e me hirin e tij, të gjithë e fituan falas drejtësinë, në sajë të shpërblimit që bëri Jezu Krishti”(cfr. Rom 23-24).
Mendimi i Luterit se i krishteri shpëton vetëm në sajë të fesë e jo të veprave që kryen, është i vërtetë – shpjegoi Papa - në se nuk i kundërvë fenë me mëshirën, fenë me dashurinë:

“Fe do të thotë të shikosh Krishtin, t’i besosh Krishtit, të jesh i lidhur ngushtë me Krishtin, të bëhesh një me Krishtin, me jetën e tij. E jeta e Krishtit është dashuri”.

 
Atëherë mund të themi se të besosh, do të thotë të bëhesh një me Krishtin e të hysh në dashurinë e Tij. Prandaj – tha në përfundim Papa - Shën Pali në Letrën drejtuar Galatasve, në të cilën zhvillon doktrinën e tij mbi shfajsimin, thekson se i tërë ligji përmblidhet në këtë urdhër: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!” E vijon: “Në se nuk e lini shoqi-shoqin në paqe e ia breni jetën me ngatërresa, do të thotë se i kundërviheni vetë Shpirtit Shenjt (cfr. Gal. 5,14).
 Pasi përfundoi katekizmin, Papa përshëndeti në gjuhë të ndryshme 20 mijë shtegtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit. Duke folur në gjuhën polake, kujtoi në mënyrë të veçantë Shoqatën “Familja e Rodlit’, trashëgimtare e Bashkimit të Polakëve të Gjermanisë në periudhën ndërmjet dy luftërave. Papa uroi që veprimtaria e shoqatës të shërbejë për forcimin e lidhjeve vëllazërore ndërmjet kombeve. Në anglisht e në frëngjisht u drejtoi një përshëndetje të posaçme pjesëmarrësve në Konferencën ndërkombëtare të Skautëve katolikë, që vijon në Romë. Së fundi, në gjuhën italiane, Benedikti XVI përshëndeti përfaqësuesit e Federatës italiane të kuzhinierëve dhe besimtarët e dioqozës së Shën Marisë së Leukës, ardhur në Romë për t’i kthyer Papës vizitën në Salento, në qershorin e kaluar.







All the contents on this site are copyrighted ©.