2008-11-19 19:23:34

Në Rinas, shtatorja e së Lumes Nënë Terezës rrezikon të shembet


(Nga news24/balkanweb. 19.11.2008.)Shtatorja 6 metra e lartë e Nënë Terezës është dëmtuar rëndë pas përplasjes së një automjeti. Goditja ka qenë e fortë dhe vepra e derdhur në bronx ka dëmtime serioze. Automjeti ka goditur pjesën e poshtme të statujës prej bronxi dhe ka krijuar një të çarë të konsiderueshme, por çështë më e rëndësishmja ka dëmtuar edhe një pjesë të konstruksionit të brendshëm metalik. Si pasojë e kësaj shtatorja ka një anim të lehtë në të majtë dhe ka humbur drejt peshimin. Shtatorja u vendos në hyrje te Aeroportit të Rinasit vitin e shkuar, në prag të përurimit të Terminalit me emrin e shenjtores së madhe. Skulptorit Luan Muriqi, kjo vepër arti i kushtoi plot 8 muaj punë intensive. Duket se problemi i vërtetë është mungesa e një rrethimi si dhe ndriçimi i duhur përreth saj, i cili do ta mbronte shtatoren nga aksidente të ndryshme. Në Ministrinë e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve, mësohet se sipas projektit fillestar ishte projektuar qe përreth shtatores të vendosej një rrethim me shtylla metalike, të cilat në raste aksidenti do ta mbronin atë. Kjo vepër arti u përurua shtatorin e vitit të kaluar, pa këto masa mbrojtëse dhe pa një pllakë me mbishkrimet e nevojshme që në atë kohë ishte paralajmëruar rreziku dhe megjithë këtë nuk u mor asnjë masë parandaluese.







All the contents on this site are copyrighted ©.