2008-11-19 18:17:10

365 ditë: "Ipeshkvijtë e parë kinezë e afrikanë: ngjyrat e reja të Kishës".


(19.11.2008 RV)Romë, 1939.
“Baba, pse thua se sot është ditë e jashtëzakonshme?”.
“Pse pikërisht në këtë çast, në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa ynë i ri, Piu XII është dyke thirrur dymbëdhjetë meshtarë, për t’i shuguruar ipeshkvij”.
“E atëherë? Ipeshkvijtë kanë qenë e do të jenë gjithmonë...”.
“Sigurisht, Tomaz. Sigurisht. Por sot, ndërmjet ipeshkvijve të rinj, janë dy zezakë: e kjo është diçka vërtetë e jashtëzakonshme”.
“S’është për t’u çuditur. Me që ka shumë të krishterë zezakë, është krejt e natyrshme që të ketë edhe ipeshkvij të zinj”.
“Jo s’është, po është për t’u çuditur, e shumë madje” , thotë babai duke qeshur. “Ti ke të drejtë. Vërtetë duket si diçka normale. Por është hera e parë që po ndodh një gjë e tillë: e prandaj edhe është ditë e madhe feste për Kishën”.
“Pse nuk i kanë bërë më parë?”.
“Misionarët zbarkuan në Afrikë para njëqind vjetësh. Në fillim iu desh t’u flisnin zezakëve për krishterimin, më pas, të prisnin derisa zezakët e parë të kërkonin pagëzimin, pastaj, që disa prej tyre të shprehnin dëshirën për t’u bërë meshtarë. E u desh, më pas, që dëshirtarët të përgatiteshin për ‘profesionin’ a më mirë të themi ‘misionin’ e tyre në shkolla të posaçme, që quhen seminare. Më në fund, kur u shuguruan meshtarët e parë zezakë, këtyre iu desh të fitonin sadopak përvojë. Por kjo nuk bëhet menjëherë. Do kohën e vet. E prandaj edhe nuk mund të emëroheshin menjëherë ipeshkvij”.
“E pse jo?”.
“Sepse, Tomazi im i dashur, kjo është një përgjegjësi e jashtëzakonshme! Ipeshkvi është prijësi i të gjithë katolikëve të një zone ose të një vendi, që i është besuar. Ai e organizon Kishën, që ta kryejë si duhet misionin e të shtojë radhët e të krishterëve. Duhet një përvojë shumë e pasur (përveç një feje të gjallë, natyrisht), për t’u bërë ipeshkëv”.
“E kuptova! Por, dëgjo baba, desha të di a ka edhe ipeshkvij aziatikë?”
“Sigurisht. Në vitin 1926 Piu XI shuguroi gjashtë ipeshkvij kinezë. Ç’ngjarje kolosale për Kishën. Unë asokohe pata shkuar për t’i brohoritur në Sheshin e Shën Pjetrit. Një çast i paharrueshëm. Edhe nga larg shihej se Papa ishte tejet i kënaqur: i ndriste gjithë fytyra nga gëzimi. Pastaj, para se të ktheheshin në Kinë, ipeshkvijtë vizituan vendet kryesore të Evropës e u pritën me gëzim të madh kudo”.
“Do të shtegtojnë nëpër Evropë edhe ipeshkvijtë e rinj zezakë?”.“Për fat të keq, jo! Çast i papërshtatshëm, sepse Evropa është në luftë. Do të rikthehen menjëherë në viset e tyre. Por gjithsesi, ky shugurim është ngjarje e madhe për gjithë Kishën. Flitet shumë për racat sot: për të bardhë, të zinj, të verdhë, e sidomos për hebrenj... Duke emëruar ipeshkvinj të zinj, Kisha dëshmon se të gjithë njerëzit janë vëllezër, janë të barabartë. Sa mirë do të ishte që këtë mësim ta merrnin vesh ata, që mendojnë se të bardhët janë racë eprore...







All the contents on this site are copyrighted ©.