2008-11-18 13:26:04

365 ditë: "Madalenë Hutë, motra e vogël e Jezusit".


(18.11.2008 RV)E mbështetur në parmakun e anijes, një grua vëren portin e Algjerit, që afrohet me shpejtësi. Që kur u njoh me jetën e Sharl dë Fukosë, pesëmbëdhjetë vjet më parë, Madalenë Hutë ka vetëm një ëndërr: Afrikën. Shkretëtirën, vetminë! Deri në këtë ças nuk mundi të nisej, për shkak se ishte shëndetligë e edhe pse e ëma kishte nevojë për të. Prandaj, për disa vjet me radhë, iu desh të merrte mbi vete drejtimin e një shkolle. Feja dhe besimi në Krishtin e siguronin se duresa e saj do të shpërblehej. E kështu edhe ndodhi.
Madalena, tashmë tridhjetë e tetë vjeçe, shoqërohet nga një mikeshë, Ana. Të dyja gratë kanë një ëndërr: të ndërtojnë në shkretëtirë një bashkësi murgeshash, që duan ta jetojnë Ungjillin në varfëri të plotë. Por punët nuk janë kaq të thjeshta. Madalena kalon çaste të rënda, nis të dyshojë në thirrjen e saj, ndjehet shpirtërisht e vetmuar, shqetësohet gjithnjë më shpesh. Hartimi i rregullës së bashkësisë së re i duket i vështirë, gati i paarritshëm. Por për fat të mirë, këto çaste kapërcehen shpejt e ajo jeton edhe kohë të vërteta hiri, që i japin guxim të ecë përpara. E pastaj nuk është vetëm! Në shkretëtirë ose mbi varrin e Sharl dë Fukosë, zbulon dashurinë e pakufishme të Foshnjës Hyjnore. Prandaj më 8 shtator 1939 e quan veten Madalena e Krishtit Fëmijë.Vijimi i historisë s’është tjetër, veçse përfundim i rrugës së saj shpirtërore. Së bashku me motrën e vogël, Anën, zë vend në një fshat të shkretëtirës algjeriane e mësohet të jetojë me hiret që i fal Zoti. Në varfëri të plotë, e lëshuar krejtësisht në dorën e Provanisë hyjnore. Dy motrat e vogla ndërtojnë, ndajnë gëzime e hidhërime me të tjerët, ndihmojnë me të gjitha forcat, tërheqin dëshirtare të tjera. Kumtojnë Ungjillin e dëshmojnë dashurinë e Krishtit Fëmijë për njerëzit. Shumë shpejt bashkësia nuk jeton më vetëm në shkretëtirë. Në kulmin e veprimtarisë, Madalena rikthehet në Francë, për ta bërë të njohur bashkësinë, për të mbledhur fonde, për të hapur shtëpi të reja. E, që ta kryejë me sukses këtë detyrë, ka marrë me vete edhe një film të thjeshtë me pamje nga jeta e tyre në fshatin e humbur në mes të shkretëtirës. Pamjet kanë sukses të madh! E ky sukses e çon Madalenën në mbarë botën. Urdhëri pushton të pesë kontinentet e motrat e vogla përhapen ndërmjet ciganëve, punëtorëve, barinjve… Thirrja e tyre është universale e edhe pas vdekjes së Motrës së vogël Madalenë, më 1989, bashkësia nuk pushon së përhapuri shkëndija dashurie në të katër anët e Planetit.







All the contents on this site are copyrighted ©.