Topi i Shqipërisë: Kombi shqiptar, me dy fe e katër komunitete të ndryshme fetare
i jep botës shembullin e harmonisë e bashkëjetesës.
(17.11.2008 R.V.)Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi prej dy ditësh ndodhet
në kryeqytetin e Qipros, Nikosia, ku po merr pjesë në takimin ndërkombëtar ‘Njerëzit
e Fetë’, organizuar nga Komuniteti Kishtar i Shën Egjidit në bashkëpunim me Kishën
e Qipros mbi temën. Në fjalën e tij të mbajtur sot paradite, Presidenti Topi
foli për shembullin e Shqipërisë ku bashkëjetojnë dy fe dhe katër komunitete të ndryshme
fetare, për të mbrojtur idenë se përplasja e qytetërimeve është një abuzim intelektual,
që serviret për të fshehur interesa të grupeve ose qarqeve të caktuara politiko-ushtarake.
"Ne e ofrojmë këtë realitet pozitiv, si shembull për të pasuruar përvojën dhe
përpjekjet tona të përbashkëta për tolerancë dhe mirëkuptim, për modesti e mençuri
në raportet midis besimeve, element i rëndësishëm i qytetërimit", tha Topi e vuri
në pah "vizionin shqiptar liberal ndaj besimit që plotësohet me shpirtin mikpritës
e tolerant për të pranuar tjetrin, me identitetin e tij dhe pa paragjykime". Në fjalën
e tij Presidenti Topi përmendi bashkëjetesën e feve në Shqipëri duke thënë se Shqipëria
i jep botës shembullin e rrallë të harmonisë, dialogut, paqes e bashkëjetesës ndërfetare,
pikërisht në mes të hapësirës gjeografiko-politike ballkanike, e njohur për grindje,
luftëra e urrejtje, deri kohët e fundit, përfundoi fjalën e tij kreu i shtetit të
Shqipërisë.