Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Elizabetën e Hungarisë
(17.11.2008 RV)Elizabeta qe një
ndër figurat më poetike e më në shenjë të shekullit XIII, jo për salltanet e famë,
por për bukurí të mbinatyrshme virtytesh e shenjtëri jete. Ishte një ndër poemat e
Artistit të Madh, Zotit të Kryqëzuar. E bija e Andreut II, mbretit të Hungarisë, krejt
e re u fejua për Ludovikun IV, princin e Turingjisë në Gjermani, në oborr të të cilit
edhe u rrit e u edukua. Katërmbëdhjetë vjeçe u martua e, një vit më pas, pati fëmijën
e parë. Pozita e saj si princeshë, si bashkëshorte e si nënë, nuk e pengoi asnjëherë
të kryente vepra të mira dashurie për të varfër, për të sëmurë, për pleq e për të
lënë mbas dore. Pas tyre e për ta shpenzoi të gjitha pasuritë e veta. Për ta, e sidomos
për të gërbulur, s’e kurseu shërbimin. Njëzet vjeçe mbeti e vejë, shtatzënë me të
tretin fëmijë. Më pas u dëbua nga oborri i principatës. Vuajti salvime, varfëri, përbuzje,
por s’i harroi kurrë të varfërit e të sëmurët. Vdiq terciare françeskane 24 vjeç,
në vitin 1231 në Marburg, ku kishte hapur spitalin e të varfërve në emër të Shën Françeskut.