2008-11-17 18:00:24

Papa ambasadorit të ri libanez: Bashkësia ndërkombëtare të impenjohet që Libani të mos bëhet terren konfliktesh zonale.


(17.11.2008 RV)“Uroj që modeli libanez i bashkëpunimit ndërfetar e ndërkulturor, të jetë laborator i paqes për gjithë Lindjen e Mesme”: kështu u shpreh Benedikti XVI sot paradite, në fjalimin drejtuar ambasadorit të ri të Libanit, Zhorzh Shakib El Huri, të cilin e priti në Vatikan për paraqitjen e Letrave kredenciale. Papa shprehu kënaqësinë lidhur me përpjekjet që po bëjnë institucionet për të gjetur rrugëzgjidhjen e drejtë të krizës politike në vend. Më pas i nxiti katolikët libanezë të impenjohen për paqen e pajtimin ndërmjet bashkësive të ndryshme, që bëjnë pjesë në këtë komb.
Me pasurinë e larmive – tha Benedikti XVI – Libani dëshmoi në historinë e tij se konfesione të shumta fetare mund të jetojnë së bashku në frymën e vëllazërimit e të bashkëpunimit. Prandaj – theksoi Papa – duhet të jetë si një laborator për kërkimin e zgjidhjes së suksesshme të konflikteve, që trondisin prej një kohe shumë të gjatë, zonën e Lindjes së Mesme. Historia e tij mijëvjeçare dhe pozita në zemër të një zone të ndërlikuar – pohoi Papa – i besojnë Libanit një mision tepër të rëndësishëm: të japë kontributin e tij për paqen e harmoninë e të gjithëve. Më pas Benedikti XVI vuri theksin mbi vlerën e përvojës libaneze për bashkëpunim ndërkomunitar e ndërkulturor.
Kështu Papa e ftoi bashkësinë ndërkombëtare ta mbrojë e ta vlerësojë modelin libanez, përmes një impenjimi konkret, duke dhënë ndihmesën për të shmangur çdo rrezik që ky vend të bëhet terren për konflikte zonale ose ndërkombëtare. Papa shprehu edhe kënaqësinë për përpjekjet e guximshme që janë bërë muajt e fundit nga ana e gjithë vendit dhe prijësve të tij, për rifillimin normal të jetës politike e institucionale. Shpresojmë – tha Benedikti XVI – se do të lihen mënjanë interesat e veçanta e do të shërohen sa më shpejt plagët e së kaluarës. E kjo, me impenjimin e të gjithëve për dialog e pajtim, duke krijuar kështu kushtet që vendi të përparojë në rrugën e hapur pak muaj më parë nga Marrëveshja e Dohës, për të ndërtuar së bashku institucionet libaneze. Çdo libanez – theksoi Papa – duhet ta ndjejë veten me të vërtetë në shtëpi të vet në Liban, e duhet të shikojë se merren parasysh shqetësimet e shpresat e tij legjitime, pa harruar respektimin e të drejtave të të tjerëve. Për t’ia arritur këtij qëllimi – tha në përfundim Ati i Shenjtë – duhet punuar për edukimin real të ndërgjegjeve me frymën e paqes, të pajtimit e të dialogut, gjë që ka vlerë të posaçme për breznitë e reja.Selia e Shenjtë – siguroi Papa – ndjek me vëmendje të madhe zhvillimet e situatës në Liban dhe inkurajon përpjekjet për zgjidhjen e problemeve, përballë të cilave ndodhet sot vendi dhe e gjithë zona, aq e dashur për besimtarët. Benedikti XVI i nxiti katolikët libanezë që, në bashkim me barinjtë e tyre, të jenë veprimtarë të bindur të unitetit e të vëllazërimit, në shërbim të paqes së qëndrueshme, të cilën e dëshirojnë të gjithë libanezët. Për të ndërtuar një shoqëri, që u siguron të gjithë anëtarëve të saj një jetë të denjë e të lirë e një bashkëpunim gjithnjë më të thellë ndërmjet anëtarëve të kombit - tha në përfundim Papa - duhen krijuar marrëdhënie besimi ndërmjet njerëzve e bashkësive.







All the contents on this site are copyrighted ©.