2008-11-17 18:00:53

Mesazhi i Papës Mitingut ndërfetar të Qipros: “Të mbahet lart pishtari i paqes!".


(17.11.2008 RV)“Vetëm përmes rrugës së dialogut e të përpjekjeve të sinqerta, krijohet mundësia të integrohemi në peshtafin e çmuar të Gjithësisë”. Kështu shkruan Papa në mesazhin, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, drejtuar Mitingut të 22 -të ‘Njerëz e Besime’, me temë “Qytetërimi i paqes”, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, që u hap të shtunën e kaluar në Nikozi të Qipros.
“Mbajeni lart pishtarin e paqes!” – kështu e inkurajon Papa bashkësinë e Shën Egjidit, duke e nxitur të vijojë përpjekjet për të vënë në jetë zotimin që mori menjëherë pas takimit të lutjes për paqen, mbledhur në Asizi më 1986 nga Papa Gjon Pali II. E ky ishte rasti i përshtatshëm – shpjegohet në mesazh – për të davaritur retë e zeza të dyshimit e të moskuptimit e për t’i kërkuar Zotit dhuratën e çmuar të paqes.
Në takimin e parë të Asizit pas rënies së diktaturës, Shqipëria do të përfaqësohej nga kryetari i asokohshëm i Konferencës Ipeshkvnore Katolike, imzot Frano Illia, kryeipeshkëv metropolit i Shkodrës, ndërsa ishte i pranishëm edhe kryetari i bashkësisë myslimane të Shqipërisë, Hafiz Sabri Koçi. Takim emocionant i dy kryetarëve të bashkësive kryesore fetare të Shqipërisë, të njohur në qelitë e burgjeve të diktaturës komuniste e të dënuar me të njëjtën akuzë si njerëz të fesë. Më pas në takimet e mëdha për paqen do të ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e ortodoksëve, sidomos kryepeshkopi Anastas Janullatos.
Ndërsa në takimin e Qipros është i ftuar presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Bamir Topi, i cili sot paradite mori fjalën për t’i përcjellë mitingut përvojën tejet pozitive të vendit, ku bashkëjetojnë dy besime dhe katër bashkësi të ndryshme fetare. Presidenti Topi mbrojti idenë se ndeshja ndërmjet qytetërimeve s’është tjetër, veçse përpjekje për ta përdorur besimin në dobi të interesave të grupeve ose të qarqeve të caktuara poltiko-ushtarake. Shqipëria – pohoi zoti Topi në fjalimin e tij – me bashkëjetesën e feve, i jep botës një shembull të shkëlqyer të aftësisë për të dialoguar e për të bashkëjetuar në paqe, pikërisht në zemër të zonës ballkanike, të njohur për grindje, luftëra, urrejtje jo vetëm në të kaluarën e largët, por edhe në atë të afërme. “Njerëz e Besime”, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, është takim i përvitshëm, që mbledh burra e gra të kulturave e të feve të ndryshme, nën shenjën e dialogut e të paqes. Kujtojmë se Qipro është selia e një Kishe të madhe ortodokse, vend ku shkelën Apostujt Pali e Barnaba e, në vitin kushtuar Apostullit të Popujve, takimi merr një ngarkesë të posaçme shpirtërore, sepse kujton nga afër ungjillëzimin e lashtë të kësaj toke, duke shprehur edhe respektin për kishën e madhe ortodokse, që mikpret takimin “Njerëz e Besime”. Mund të themi se kemi të bëjmë me një shenjë ekumenizmi konkret e me një mesazh të ndjeshëm paqeje.







All the contents on this site are copyrighted ©.