2008-11-17 18:01:40

365 ditë: "Divini Redemptoris, letra e Papës kundër komunizmit".


(17.11.2008 RV)RealAudioMP3 “Mirëmëngjes, zoti mësues!”. Mësuesi i hedh një shikim të akullt famullitarit.
“Hë, t’i lëmë këto! Apo e keni ndër mend të më mbani inat deri në vdekje? E di mirëfilli pse nuk denjoheni më as të më flisni. Papa ynë, Piu XI, në mars të vitit 1937 shkroi Divini Redemptoris, një letër të gjatë kundër komunizmit. E me që ju jeni komunist, jeni zemëruar me Papën e edhe me mua. E kështu keni vendosur të mos më flisni më, madje nuk pranoni as t’ju sqaroj”.
“Papa juaj po sulmon ide fisnike e bujare. Ç’gabim i rëndë! E unë i vafëri mendoja se Piu XI ishte njeri me mend në kokë. Kur dënoi fashizmin e Musolinit e nazizmin e Hitlerit, isha plotësisht me të, siç e dini edhe ju vetë. Por duhet pranuar se më pas ka shkruar një tog marrëzirash”.
“Papa do t’ua hapë sytë njerëzve”.
“M’i hapka sytë, e pastaj. Ç’shikoj? Një botë të padrejtë, me të pasur e të varfër. Komunizmi dëshiron ta ndryshojë këtë jetë kaq të padrejtë, dëshiron që të gjithë të jenë të barabartë. Në komunizëm asnjeri s’ka pronë personale, sepse gjithçka është e përbashkët. Jep sa mundesh e merr sa të nevojitet. Komunizmi do të ndërtojë një botë më të mirë. Vetëm një gjë mund të mos ju pëlqejë: ne nuk besojmë në Zotin! Prandaj papa na i kërcëllon dhëmbët. Ç’intolerancë e turpshme!”.
“Nuk është vetëm ky shkaku i letrës, jooo! Natyrisht Papa mendon se një botë pa Zot nuk mund të funksionojë. Por është edhe një gjë tjetër. Komunistët përpiqen t’i bëjnë për vete njerëzit me fjalimet e tyre të bukura, e boshe!”.
“Ç’do të thuash me këtë?”.
“ Me pretekstin e vendosjes së barazisë, komunizmi zhduk çdo mendim të lirë. A s’e shikon ç’po ndodh në Bashkimin Sovjetik. Stalini, kreu i shtetit, po i shndërron njerëzit në kukulla, që lëvizin sipas komandës së tij. Në këtë vend nuk ka më liri, nuk ka jetë private, nuk ka opinione personale. S’ka as rrugë të mesme: o bën ç’thotë Stalini, o vdes. E ju po na e akuzoni Papën për intolerancë?! Në sa është krejt e kundërta: Papa dëshiron vërtetë që të gjithë njerëzit të jenë të lirë. Ne jemi bij të Hyjit, e jo kukulla dërrase!”.
“Jemi a s’jemi bij të Zotit, këtë nuk e di, i nderuar, por që nuk jemi kukulla, këtë e di mirë...”.
“Ja, pra, e shikon! Në fund të fundit jemi gjithnjë dakord”, përgjigjet famullitari me një të qeshur të ngarkuar me ironi. Në këtë periudhë, para luftës, Piut XI i duhet t’u kundërvihet ideve dhe veprimtarive të tmerrshme, që vihen në jetë në emër të ideologjive njerëzore, naziste a komuniste qofshin. Nuk ngurron t’i denoncojë rreziqet që kërcënojnë botën. E, për fat, të keq, historia do t’i japë arsye.







All the contents on this site are copyrighted ©.