2008-11-15 17:25:12

Një javë me Papën e me Kishën katolike.


(16.11.2008 RV)Përfundoi të enjten e kaluar në Selinë e OKB-së në Nju Jork, konferenca e dytë ndërkombëtare e dialogut ndërfetar. I pranishëm, Kardinali Zhan Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar dhe presidentë e kryeministra të 70 vendeve të ndryshme të botës. “Fetë janë lajmëtare të pajtimit”- nënvizoi përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë në këtë takim të rangut të lartë me temë ‘Kultura e paqja’. Mendimin e tij e mbështeti edhe organizuesi i këtij dialogu ndërfetar, mbreti i Arabisë Saudite, Abdulla, i cili pohoi me forcë se terrorizmi dhe kriminaliteti janë armiq të çdo feje.

Dialogu hebraiko-katolik mund të bëhet shenjë shprese e frymëzimi për këtë botë gjithnjë të shqetë. Kjo nënvizohet në Deklaratën përfundimtare të Takimit të 20-të të Komitetit ndërkombëtar hebraiko-katolik, që përfundoi pak ditë më parë në Budapest. “Ta dënojmë çdo dhunë me sfond fetar – lexohet në tekst – posaçërisht sulmet e kohëve të fundit kundër të krishterëve të Indisë e të Irakut si dhe qëndrimet antisemitiste në Evropë e në Lindjen e Mesme”.

“Mbrojtja e lirisë dhe e të drejatve të njeriut mund të jetë një terren i përbashkët për vijimin e dialogut”. Kështu mendon kardinali Valter Kasper, kryetar i Komisionit për marrëdhëniet ndërfetare me hebraizmim, i cili mori pjesë në Budapest, në takimin e përfaqësuesve të Selisë së Shenjtë me delegacionin e Rabinatit të Madh të Izraelit për marrëdhëniet me Kishën katolike. Tema e takimit ishte “Shoqëria civile dhe feja, perspektiva katolike e hebraike”.

Kriza ekonomike botërore ishte në qendër të vëmendjes në takimin e G21, që u quajt kështu për arsye të pjesëmarrjes së Holandës, mbajtur dje Uashington, organizuar nga SHBA për t’iu përgjigjur dhe për të hedhur bazat e reformave, që synojnë t’i venë pritë rrezikut të përsëritjes së një situate të tillë në të ardhmen.
Edhe Selia e Shenjtë ndjek me vëmendje të madhe zhvillimet në skenën ekonomiko-financiare ndërkombëtare, posaçërisht për shkak të ndikimeve tejet negative që kanë në jetën e vendeve në rrugë zhvillimi.

Të enjten e kaluar Benedikti XVI priti në Vatikan presidentin brazilian Luizh Injacio Lula da Silva. Në përfundim të vizitës, u nënshkrua edhe Marrëveshja ndërmjet Selisë Shenjte dhe Brazilit për Statusin Juridik të Kishës Katolike në vendin latino-amerikan, në mbrojtje të Kishës si person juridik në zhvillimin e plotë të misionit të saj apostolik dhe baritor. Gjatë takimit, Papa e presidenti Lula shkëmbyen mendime për disa aspekte të situatës në Brazil, posaçërisht për politikat shoqëroe.

Një akt përkujtimor, dhënie çmimesh disa personaliteteve të shquara në fushën e solidaritetit dhe një koncert në praninë e Papës. Këto janë nismat e përgatitura nga Selia e Shenjtë për të kremtuar solemnisht 60-vjetorin e Deklaratës të të Drejtave të njeriut. Për këtë u foli të enjten e kaluar gazetarëve, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, kardinali Renato Rafaele Martino, kryetar i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes.
Në përfundim të konferencës së shtypit, kardinali Martino pohoi se është i një mendimi me presidentin e Republikës italiane, Napolitano, për nevojën e krijimit të një klime miqësore, që u hap rrugë të reja emigrantëve në Itali. Të huajtë – nënvizoi kardinali Martino - nuk janë barrë që peshon mbi kurizin e vendeve ku shkojnë, të shtyrë nga nevojat e tyre. Nuk duhet harruar se japin një ndihmesë jo të paktë, me punën e tyre, me veprimtarinë e tyre.

Është e nevojshme të sqarohet rishtas koncepti i laicitetit të drejtë, për të nënvizuar pavarësinë e, njëkohësisht, përgjegjësinë e përbashkët të pjesëve të ndryshme që përbëjnë shoqërinë: këtë pohoi Benedikti XVI të enjten e kaluar, duke pritur në audiencë ambasadorin e ri të Republikës së San Marinos pranë Selisë së Shenjtë, doktor Sante Kanduçin, për paraqitjen e Letrave kredenciale. Ta veçosh plotësisht jetën publike nga çdo vlerë e traditave – shpjegoi Papa – do të thotë të hysh në një udhë pa krye.

Të mërkurën e kaluar Ati i Shenjtë e përfundoi audiencën e përgjithshme, kushtuar përsëri Shën Palit, me një lutje të improvizuar e të thellë, drejtuar Krishtit: “Eja Zot Jezus e ndërroji padrejtësitë, që lëshojnë rrënjë në botë e në zemrat njerëzore!”.
Papa iu lut Zotit të vijë përsëri në botën e shekullit 21-të e t’i ndryshojë të gjitha situatat, të cilat flasin për drama e padrejtësi: situatën në Darfur e në Veri të Kivusë, atë të indiferencës së njerëzve që e kanë harruar Krishtin e të atyre që nuk e njohin.

Në Kivu vijon ‘një genocid i heshtur’, i ndjekur me indiferencë nga bashkësia ndërkombëtare. Kështu shprehen ipeshkvijtë e Republikës Demokratike të Kongos, të cilët në një notë, denoncojnë krimet e kryera kundër njerëzve të pafajshëm dhe dënojnë çdo lloj agresioni në territorin kombëtar. Ndërkaq në vend konflikti vijon të zgjërohet e vijon të shtohet edhe numri i viktimave të pafajshme.

Asnjë lajm i ri për fatin e dy misionareve italiane, motër Katerina Gjiraudo e motër Maria Tereza Oliviero, të rrëmbyera pak ditë më parë në një fshat në kufirin ndërmjet Kenias e Somalisë. Zhvillimet e ngjarjes ndiqen nga afër prej Vatikanit, që merr pjesë në shqetësimin e thellë të ‘Lëvizjes Kundruese Misionare Atë Fuko” të Kuneos, së cilës i përkasin dy rregulltaret, me mision në Kenia.
Nunci apostolik në Kenia, imzot Alë Pol Lebopë, u bëri thirrje rrëmbyesve t’i lirojnë sa më shpejt motrat italiane dhe i ftoi gjithë besimtarët të luten për lirimin e rregulltareve, që i shërbejnë prej 20 vjetësh të varfërve në vendin afrikan.

Kontakti i parë i drejtpërdrejtë i Barak Obamës me Benediktin XVI: të martën e kaluar presidenti i ri i SHBA pati një bisedë telefonike me Papën, të cilin e falënderoi për mesazhin e urimit dërguar të nesërmën e zgjedhjes së tij.
Kujtojmë se Papa, përmes ambasadës së SHBA-së pranë Selisë së Shenjtë, i dërgoi një mesazh presidentit të zgjedhur, Barak Obama, në të cilin, duke e uruar atë e familjen e tij e duke e quajtur këtë zgjedhje ngjarje historike, e siguroi se i lutet Zotit ta ndihmojë në kryerjen e detyrave të larta në vend e në bashkësinë ndërkombëtare dhe ta bekojë atë e popullin amerikan, që së bashku me të gjithë njerëzit vullnetmirë, të mund të ndërtohet një botë me paqe, solidaritet e drejtësi.


Ndërkaq ipeshkvijtë amerikanë, të mbledhur në Baltimora, ripohuan shqetësimin e tyre të thellë për rrezikun e mundshëm të liberalizimit të abortit, paralajmëruar nga stafi i presidenti të ri. Prelatët – lexohet në një tekst të publikuar nga rrjeti amerikan ABC – do të vijojnë të mbrojnë me vendosmëri të drejtat e fëmijës, që nga çasti i zënies. Dënohet edhe projekti i mbështetur nga Obama, që zhduk shumë nene të ligjit në fuqi lidhur me ndërprerjen e shtatzanisë.

“Një gur i vërtetë kilometrik për laikatin katolik të kohës sonë”. Kështu shprehet kardinali Stanisalo Rilko, kryetar i Këshillit Papnor të laikëve, për Christifideles Laici, dokument në të cilin, njëzet vjet më parë, Papa Gjon Pali II përmblodhi propozimet e Sinodit të Ipeshkvijve kushtuar thirrjes e misionit të besimtarëve në Kishë e në botë. Këtij teksti i kushtohet Asambleja plenare e Këshillit Papnor, që u hap sot në Romë. Do të flitet sidomos për sfidat që duhet të përballojnë laikët në shoqërinë bashkëkohore.

Të marten e kaluar në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë u paraqit Konferenca XXIII ndërkombëtare, organizuar nga Këshilli Papnor për baritorinë e shëndetit, me temë: “Baritoria në mjekimin e fëmijëve të sëmurë”, që u mbajt në Vatikan më 13 deri më 15 nëntor. Qëllimi i Konferencës ishte shkëmbimi i mendimeve, posaçërisht për problemin e vdekshmërisë së fëmijëve, duke pasur mirë parasysh se akoma sot, çdo vit, 4 milionë të posalindur vdesin në 26 ditët e para të jetës. Kardinali Havier Lozano Barragan, kryetar i Këshillit Papnor për baritorinë e shëndetit, ripohoi me forcë qëndrimin e Selisë së Shenjtë kundër kërkimeve shkencore mbi qelizat staminale embrionale, e jo më pak, kundër ndërprerjes së ushqimit të të sëmurit në gjendje vegjetative, veprim të cilin e quajti “qëndrim çnjerëzor e vrasje me paramendim”.

“T’i jepet fund përdorimit të dhunës, si shenjë respekti të njëmendtë për lirinë fetare të të gjithë bijve e bijave të Indisë”. Është kjo thirrja që bëri kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, në përfundim të udhëtimit të tij në vendin aziatik, përballë njëqind mijë besimtarëve të bashkësisë katolike siro-malankareze e latine. Njoftimin e jep gazeta “L’Osservatore Romano”.

Papa ipeshkvijve të Bolivisë: në një periudhë plot vështirësi e pasiguri, Kisha duhet të punojë për të gjallëruar fenë e për të promovuar dialogun e paqen.
Kisha e Bolivisë është e thirrur të gjallërojë fenë e popullit të vet, duke ndihmuar më nevojtarët e duke promovuar dialogun e pajtimin: me këto fjalë iu drejtua Benedikti XVI ipeshkvijve të Bolivisë, të cilët i priti të hënën e kaluar në Vatikan, me rastin e vizitës së tyre ‘ad Limina’. Papa nëvizoi se një detyrë e tillë bëhet edhe më urgjente sot, në një çast ndryshimesh të thella e vështirësish të reja për popullin bolivian.
 Më 13 dhjetorin e ardhshëm Benedikti XVI do të bëjë një vizitë në Ambasadën e Italisë pranë Selisë së Shenjtë. Do të jetë hera e katërt që një Papë shkel në Pallatin Borromeo: i pari ishte Piu XII, më 1951; pastaj Pali VI më 1964 e Gjon Pali II më 1986.

Mbetet e nderë situata në Jeruzalem, pas tensioneve ndërmjet murgjërve armenë e greko-ortodoksë, që përfunduan në rrahje në Bazilikën e Varrit të Shenjtë. Ndeshja nisi gjatë kremtimit të përvitshëm të rigjetjes së Kryqit të Jezusit, që sillet me procesion nga murgjërit armenë, të bollokuar pastaj, nga një murg ortodoks, pak para se të arrinin në Edikola, siç quhet struktura ku ndodhet Varri i Krishtit. Një atmosferë, që tregon qartë se bashkëjetesa nuk është aspak e lehtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.