2008-11-15 17:25:38

Editorial i Atë Federiko Lombardit: “Masakra e të varfërve”.


(16.11.2008 RV)Masakrat që kryhen çdo ditë në zonën kongoleze të Veri Kivu-së, si çdo konflikt që trondit njerëz të pafajshëm, nuk mund të mos e prekin ndërgjegjën e bashkësisë ndërkombëtare. Të mërkurën e kaluar, në audiencën e përgjithshme, zëri i Benediktit XVI u ngrit përsëri, në një lutje të dalë nga zemra, për viktimat e kësaj toke të mbytur në gjak, që kërkon heshturazi ndihmë, për t’i dhënë fund martirizmit të saj. Kësaj toke e viktimave të saj ua kushton sot reflektimin, Atë Federiko Lombardi:RealAudioMP3

“Pak ditë më parë, duke e marrë shtytjen nga shtegtimi i ardhshëm i Papës në Afrikë, folëm për dinjitetin e afrikanëve e për shpresa. Por në të vërtetë lajmet, që vijojnë të arrijnë nga zona e Veri-Kivu na mbushin ditë për ditë me ankth. Të dielën, më 9 nëntor, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa ngriti zërin, duke denoncuar shkatërrimet, plaçkitjet e dhunën e të gjitha tipeve, në dëm të civilëve të paarmatosur e të pafajshëm. Kjo zonë, në zemër të Kontinentit afrikan, është tashmë ‘prej shumë kohe e martriziuar’. Të vdekurit gjatë konflikteve numërohen me miliona. Ka shumë mundësi që këtu të jetë kryer masakra më tronditëse e Planetit në pesëmbëdhjetë vjetët e fundit.
E si gjithnjë në konfliktet bashkëkohore, pjesa më e madhe e viktimave janë civilët e pafajshëm, të mbytur në gjak për shkak të interesave të pashprehura, urrejtjeve të vjetra e pasioneve të mbrapshta. E Keqja, armiku i madh që mundon Krijesat e Hyjit, e mjegullon arsyen, e çon në kulm përbuzjen për jetën e duket sikur sundon, pa gjetur kurrfarë kundërshtimi. Tepër të ngadalshme e të druajtura reagimet për t’i dhënë fund kësaj ploje mbi të varfërit.
Përballë gjithë kësaj mizorie, besimtarët duhet të armatosen me çdo kusht, me armën e dashurisë, që e bën njeriun ta përballojë dhunën, sipas shembullit të Zotit. Por, për të rindërtuar paqen, duhet rikthim tek dinjiteti i çdo jete njerëzore, duhet impenjim i vërtetë, kryesisht për edukimin e zhvillimin si dhe krijim i rrethanave ndërkombëtare, që sigurojnë kushtet për ndërtimin e paqes, e jo për ushqimin e konflikteve. Në se jo, Afrika vijon të vdesë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.