2008-11-15 17:28:03

Duke shfletuar kalendarin e 15 nëntorit, përkujtojmë Shën Albertin e Madh.


(15.11.2008 RV)Shën Alberti, filozof e teolog, studiues i palodhur në kërkim të pikave të takimit ndërmjet shkencës e fesë, domenikan, doktor i skolastikës, dha mësim ndër katedrat më të shquara të kohës e, në universitetin e Këlnit, themeluar prej tij, pati nxënës Shën Tomën e Akuinit.
Lindi rreth vitit 1200 në Lauingen të Bavarisë. Njeri fisnik në trup e në shpirt, ishte i paracaktuar të ndiqte karrierën ushtarake e politike, duke ecur kështu në rrugën e traditës familjare. Por ai dëshironte më shumë të rrinte gjithë ditën mbi libra, sesa të rrokte armët e të ushtrohej në artin e luftës. Dëshira për studim iu thellua edhe më shumë, kur familja u transferua në Itali së bashku me mbretin Federiku II. Ndërsa frekuentonte universitetin e Padovës, ku thellohej në shkencat natyrore, u njoh me të Lumin Jordanin e Saksonisë, epror i dytë i përgjithshëm i Domenikanëve, menjëherë pas Shën Dedës, që kishte shkuar në Padovë për t’u predikuar studentëve universitarë. Vendosi ta ndiqte, së bashku me nëntë studentë të tjerë, pasi mori nga duart e tij zhgunin domenikan. Vijoi studimin e u bë një nga njerëzit më të ditur të kohës, njohës i të gjitha degëve të kulturës deri në atë shkallë, sa të quhej Doktor universal e të meritonte titullin ‘i Madh’ që më të gjallë. U zgjodh provincial i Domenikanëve në Gjermani e më pas, ipeshkëv i Regensburgut, mision nga i cili u largua për t’iu rikushtuar mësimdhënies e predikimit. Qe ndërmjetës e lajmëtar i paqes ndërmjet popujve e, në Koncilin e Lionit, dha kontributin e dijes së tij për bashkimin e Kishës greke me atë latine. Ndonëse në moshë të shkuar, ngjitej me shkathtësi djaloshare në katedër, por një ditë, ashtu si e kishte paralajmëruar Virgjëra Mari, për të cilën kishte devocion të posaçëm, kujtesa e tij papritmas u shua. Atëherë hoqi dorë nga dija e tokës e nisi të shikonte vetëm drejt qiellit, për ku u nis më 15 nëntor 1280. Trupi i tij pushon në paqe në kishën famullitare të Shën Andreut në Këln. U shpall i Lum nga Papa Gregori XV në vitin 1622; Shenjt e Doktor i Kishës nga Piu XI, në vitin 1931; Pajtor i studiuesve të shkencave natyrore nga Piu XII, më 16 dhjetor 1941.
Në audiencën e përgjithme të 14 nëntorit 2006, Benedikti XVI i ftoi të rinjtë të jenë veprimtarë të paqes e mjeshtra të pajtimit, duke ndjekur shembullin e Shën Albertit të Madh. Shenjti – vuri në dukje Papa - bëri përpjekje të vazhdueshme për të vendosur paqen ndërmjet popujve të kohës së tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.