2008-11-14 18:08:27

Në Uashington mblidhet G21 për të diskutuar mbi krizën financiare.


(14.11.2008 RV)Filloi sonte në Uashington takimi i G21, organizuar nga SHBA për t’iu përgjigjur krizës financiare globale dhe për të hedhur bazat e reformave, që synojnë t’i venë pritë rrezikut të përsëritjes së një situate të tillë në të ardhmen. Me rëndësi takimi, por prej tij nuk pritet shumë, për shkaqe objektive e subjektive. Situata është e rëndë, prandaj problemet nuk mund të zgjidhen sot për nesër. Pastaj qeveria e SHBA përfaqësohet nga një administratë, që pas dy muajsh nuk do të jetë më në detyrë. Ndërkaq vendet e Evropës nuk janë njëmendjeje lidhur me masat që duhen marrë në përballimin e krizës e, sidomos, në realizimin e propozimit francez për krijimin e një fondi të përbashkët evropian për ndërhyrjen mbi krizën. Vende si Gjermania, përpiqen t’i mjekojnë vetë plagët e hapura. Ndërsa bota e tretë, e cila nuk ka mjete financiare, nuk është as ndërmjet aktorëve, që përpiqen t’i zgjidhin problemet e mëdha, në rend të ditës edhe për njerëzit e thjeshtë, mbi kurrizin e të cilëve peshon me gjithë peshën e vet kriza financiare.







All the contents on this site are copyrighted ©.