2008-11-14 18:06:50

Në takimin pranë OKB-së kushtuar temës së paqes, u theksua: “Fetë janë lajmëtare të pajtimit”.


(14.11.2008 RV)Të përparojë dialogu ndërfetar e të frenohen ideologjitë ekstremiste. Këto përparësi u theksuan gjatë takimit të rangut të lartë, që përfundoi dje në Selinë e OKB-së në Nju Jork, ku morën pjesë Kardinali Zhan Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar dhe presidentë e kryeministra të 70 vendeve të ndryshme të botës. Duke hapur takimin të rangut të lartë me temë ‘Kultura e paqja’, organizuar nga mbreti i Arabisë Saudite, Abdulla, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, shprehu kënaqësinë e tij për këtë nismë me vlerë – organizuar me synimin që të ndërtojë ura ndërmjet kulturave e feve, në një epokë të përshkuar dukshëm nga fryma ekstremiste. Për t’u nënvizuar është edhe se për herë të parë një president izraelit, Peres, iu drejtua një mbreti saudit, Abdullahut, duke i vlerësuar lart përpjekjet e tij për paqe në Lindjen e Mesme.
Terrorizmi dhe kriminaliteti - pohoi sovrani i Arabisë Saudite – janë armiq të çdo feje.
Ish ministri francez, Jypé pohoi, më pas, se e drejta e lirisë fetare duhet njohur në të gjitha aspektet e saj.
Duke prekur këtë temë, presidenti amerikan, Bush, deklaroi se çdo njeri ka të drejtën ta zgjedhë ose ta ndërrojë fenë si edhe të drejtën ta praktikojë në jetën private e publike. U shprehën edhe shqetësime e shpresa të tjera. Presidenti libanez, Sulejman, nënvizoi shqetësimin që buron nga fenomenet e dhunës konfesionale. Presidentja e Filipineve, zonja Arroio, kujtoi shembullin e rezolutës së përbashkët Pakistan-Indonezi- Filipine për nxitjen e dialogut ndërfetar e ndërkulturor.
Dialogu e tregon forcën e vet të vërtetë – u ripohua në përfundim të konferencës – kur bëhet mjet i fuqishëm në shërbim të stabilitetit ndërkombëtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.