2008-11-14 18:04:19

Botohet përmbledhja e intervistave të Atë Zef Pllumit OFM.


(14.11.2008 RV)Me një parathënie të gjatë të Aurel Plasarit, botohet përmbledhja e intervistave të Atë Zef Pllumit me titull “Kështu foli At Zef Pllumi me gazetarët”.
Intervista qe një mjet me të cilin Pater Zef Pllumi komunikoi vazhdimisht me njerëzit, qysh kur nuk i kishte shkruar ende veprat që la dhe kur ishin të shumtë ata, që nuk i njihnin.
Mbi këtë zhanër të gazetarisë së shkruar dhe të folur, Aurel Plasari dhe Agron Gjekmarkaj kanë përgatitur përmbledhjen “Kështu foli At Zef Pllumi me gazetarët” një botim i “Onufrit” që pritet të dalë së shpejti nga shtypi.
U zgjodhën 16 intervista: disa nga intervistuesit janë Ilir Yzeiri, Bardhyl Matraxhiu, Ilirjana Stringa, Ilirjan Agolli, Dom David Gjugja, Blendi Fevziu, Ben Andoni etj. - nga shumë që ai dha në harkun kohor të 15 viteve, 1992 deri në muajin e fundit të vitit 2007 kur u nda nga kjo jetë. Një njeri i lirë për të dhënë mendimin e tij të lirë përballë gazetarëv, të cilëve u qe drejtuar me fjalët: “Ju nuk jeni formue ende me mendimin e lirë demokrat, ende nuk jeni kundër diktaturës, ju ende ushqeni diktaturën”. Ky bashkëbisedim i lirë e shndërron intervistë pas interviste, fratin fraçeskan në “Fratin e ideve” si e quan Aurel Plasari në parathënien e gjatë të librit ku ndalohet më shumë tek ideologjia e Françeskanit të Madh: “Kur tanimë idetë e tij vijnë duke u sistemuar, dallohen qartazi katër skajet kardinale mes të cilave, si mes katër pikave të horizontit, ka lëvizur e është zhvilluar ideologjia e tij, ideologjia më e thjeshtë në botë: liria përkundrejt tiranisë dhe dashuria përkundrejt dhunës”.
Plasari, konsulent i këtij botimi që në hartimin e tij, beson se tek kjo dorë intervistash shfaqet qartë dhe në mënyrë sintetike kjo ideologji e fratit të kujtimeve “Rrno vetëm për me tregue”.
Po e mbyllim këtë shënim me një fragment nga intervista e Atë Zef Pllumit dhënë kryeredaktorit të programmi tonë, dom David Gjugjës , që përfshihet në librin e ri..RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.