Kardinali Toran: besimtarët nuk duhet ta përdorin fenë për të përligjur dhunën e për
të kufizuar lirinë.
(13.11.2008 RV)“Fetë, pavarësisht
nga ligështitë e kontradikat e ndjekësve të tyre, janë gjithnjë lajmëtare të pajtimit
e të paqes, por besimtarët tyre duhet të jenë koherentë e të besueshëm” – këtë nënvizoi
dje kardinali Zhan-Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, në
ditën e parë të takimit të rangut të lartë, organizuar nga mbreti i Arabisë Saudite
Abdullah, në Nju Jork, pranë selisë së OKB-së. Në takimin me temë ‘Kultura e paqja’
morën pjesë presidentë e kryeministra të 70 vendeve. Kardinali Toran kujto rolin e
feve për mbrojtjen e së mirës së përbashkët të shoqërisë, por njëkohësisht pohoi edhe
se besimtarët mund ta përdorin fenë për të kufizuar lirinë e ndërgjegjes, për të përligjur
dhunën, për të përhapur urrejtjen e fanatizmin e për të minuar pavarësinë e politikës
nga feja. Edhe OKB-ja, për vetë natyrën e misionin e saj – vijoi kardinali Toran –
duhet të jetë shkollë e paqes. Këtu duhet të mësohet sesi duhet menduar e vepruar,
duke pasur mirë parasysh dëshirat, shpresat e interesat e drejta të të gjithëve.
Këtu vendet kanë të njëjtin dinjitet, por për të krijuar bindjen se të gjithë i përkasin
një familjeje të vetme, duhet kapërcyer logjika e marrëdhënieve të forcës, për t’i
hapur udhën forcës të së drejtës. Duke cituar Benediktin XVI, kryetari i dikasterit
të Vatikanit, shprehu bindjen se paqja rrezikohet nga qëndrimi indiferent ndaj asaj
që përbën natyrën e vërtetë të njeriut e që është në bazë të vlerave të përbashkëta
të të gjithëve, besimtarë e jo besimtarë: shenjtërisë së jetës, dinjitetit të njeriut,
respektit për lirinë e ndërgjegjes e të fesë, mirëpritjes së opinioneve në larminë
e tyre, përdorimit të drejtë të arsyes, vlerësimit të jetës demokratike, vëmendjes
për burimet natyrore. Duhet shkuar përtej tolerancës dhe kompromiseve të paqarta –
përfundoi kardinali Toran - për të ndërtuar së bashku, pa hequr dorë nga pasuria kulturore
e fetare e secilit, një botë më të sigurtë e më vëllazërore. Takimi përfundoi sot.