Bilanc i seminarit të parë katoliko-islamik në fjalët e Atë Samir Khalil Samir
(13.11.2008 RV)Fjalimi i Benediktit
XVI drejtuar pjesëmarrësve të Seminarit të Forumit katoliko- islamik dhe Deklarata
përfundimtare, nënshkruar të enjten e kaluar nga përfaqësuesit e të dyja feve, duhet
të përkthehen në sa më shumë gjuhë e të përhapen sa më shumë që të jetë e mundur përmes
mjeteve të komunikimit. Vetëm kështu mund të japin fryte të mira. Kështu mendon jezuiti
Samir Khalil Samir i cili, si islamolog, mori pjesë në seminar në cilësinë e specialistit.
Në mikrofonin tonë, përshkruan atmosferën e këtyre dy ditëve dialogu dhe komenton
rezultatet:
Përgjigje: - Atmosfera ishte vërtetë paqësore
e pozitive. Vërehej menjëherë se të gjithë dëshironin t’i kapërcenin vështirësitë,
pa mohuar ndryshimet. Nuk ishte thjeshtë mirësjellje apo diplomaci: ishte shumë më
tepër: miqësi që rritej edhe përmes takimeve, pushimeve ndërmjet diskutimit, bisedave.
Atmosfera ishte pozitive, vëllazërore, serioze dhe e një niveli tepër të lartë.
Pyetje:
- Atë Samir, ju jeni i kënaqur nga rezultatet konkrete që u arritën në këtë seminar?
Përgjigje:
- Përgjigja sigurisht është po! Natyrisht ndokush edhe mund të zhgënjehet,
sidomos kur nuk i njeh problemet e dialogut ndërfetar e kur pret rezultate të menjëhershme,
duke nisur nga pika e parë: të ndërtojmë xhami këtu e kisha atje; dhe e dyta, tani
e tutje kjo të bëhet realitet. Nuk është e mundur e as që duhet menduar. Mund të ndodhë
vetëm pas shumë vjet dialogu. Tema ishte shpirtërore e, pjesërisht, abstrakte, megjithatë
të gjithë u përpoqën ta konkretizojnë e u arrit në disa përfundime shumë praktike,
shumë pozitive, që na kënaqin, me vetëdijen se në një takim të tillë nuk mund të
shkohej më tej. Nuk qe aspak e lehtë të shkruhej raporti përfundimtar, sepse duhet
të ishim njëmendjeje për të gjitha çështjet. Për çdo pikë, domethënë. Prandaj u diskutuan
të gjitha pikat, një për një. Arritëm të flasim edhe për gjëra shumë të vështira,
siç është për shembull tema e ndërrimit të fesë; të gjithë e dinë se është një nga
problemet më delikate, sepse konsiderohet si pjesë përbërëse e Sharisë, apo ligjit
islamik, sipas të cilit kush ndërron fe, duhet mbytur. E megjithatë ia dolëm mbanesh
të pohojmë parimin e lirisë në kuptimin konkret të kësaj fjale. Secili ka të drejtë
ta jetojë e ta praktikojë fenë e vet, si në mjediset private, ashtu edhe në ato publike.
Pyetje:
- Kur e lexon deklaratën përfundimtare, të duket se përmban pika shumë impenjative
për botën islamike…
Përgjigje - Po, është e vërtetë, e janë
pikërisht këto pika që krijuan vështirësi. Por për zgjidhjen e tyre ndihmuan edhe
ata vetë, posaçërisht Myftiu i Madh i Bosnjës, i cili tha: “Këto parime njihen nga
një pjesë e mirë e vendeve islamike që në vitin 1948, me Deklaratën universale të
të Drejtave të Njeriut”. Kështu mund të themi se në teori nuk ka asnjë problem. Praktikisht,
duhet që secili t’i vërë në jetë këto parime në vendin e vet e me mjetet e veta.
U ndje fort dëshira për të ecur përpara në këtë rrugë, duke u përpjekur për t’i kapërcyer
vështirësitë, që nuk mungojnë e duke e ditur mirëfilli se shumë nga ne, si të rikthehemi
në atdhe, do të kritikohemi: “Siii?, e nënshkruat një dokument të tillë?”. Por në
takim u tha: “Duhet të ecim përpara!”.