2008-11-13 17:40:52

Benedikti XVI ambasadorit të ri të San Marinos: duhet ripërcaktuar koncepti i laicitetit


(13.11.2008 RV)RealAudioMP3 Është e nevojshme të sqarohet rishtas koncepti i laicitetit të drejtë, për të nënvizuar pavarësinë e, njëkohësisht, përgjegjësinë e përbashkët të pjesëve të ndryshme që përbëjnë shoqërinë: këtë pohoi sot Benedikti XVI, duke pritur në audiencë ambasadorin e ri të Republikës së San Marinos pranë Selisë së Shenjtë, doktor Sante Kanduçin, për paraqitjen e Letrave kredenciale.
Benedikti XVI e lavdëroi Republikën e vogël, por të mirënjohur, të San Marinos, për identitetin e saj të veçantë, të krijuar sidomos nga feja e krishterë e për pasurinë e vlerave, ndërmjet të cilave, vend të parë zë mbrojtja e familjes, qelizë themelore e çdo bashkësie. Për Papën, ta vlerësosh trashëgiminë greko-romake, të pasuruar nga takimi me krishterimin, do të thotë të kontribuosh për ta bërë Evropën tokë dialogu e shtëpi të përbashkët të kombeve, me karakteristikat e tyre të veçanta kulturore e fetare. Është fjala për atë alfabet shpirtëror – vijoi Benedikti XVI – që në shekujt e kaluar u krijoi popujve evropianë mundësinë të shkruajnë faqe fisnike të historisë së tyre civile e fetar. Ky alfabet do vlerësuar si pasuri e çmuar, që nuk duhet të humbasë, përkundrazi, duhet zhvilluar më tej me ndihmën e zbulimeve moderne të shkencës, të teknikës e të komunikimit, duke i vënë në shërbim të së mirës së përbashkët të të gjithëve.
Më pas Papa nënvizoi bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet Kishës e Republikës së Titanit. E pikërisht respekti reciprok dhe dialogu i vazhdueshëm - theksoi Ati i Shenjtë – janë kushtet e laicitetit të drejtë, të domosdoshëm për ndërtimin e një shoqërie, në të cilën bashkëjetojnë paqësisht tradita, kultura e fe të ndryshme. Ta veçosh plotësisht jetën publike nga çdo vlerë e traditave – shpjegoi Papa – do të thotë të hysh në një udhë të verbër, pa krye. Ja pse është e nevojshme të ripërcaktohet koncepti i një laiciteti, që të nënvizojë ndryshimin e vërtetë dhe autonominë e pjesëve përbërëse të shoqërisë, duke ruajtur kompetencat e veçanta, në një kontekst përgjegjësish të përbashkëta. Natyrisht – shtoi Papa – ky laicitet i drejtë i shtetit, kërkon që çdo realitet laik të qeveriset sipas ligjeve të veta, por duke pasur mirë parasysh që këto ligje të mos i harrojnë instancat themelore etike, që bazohen mbi vetë natyrën e njeriut e që, pikërisht për këtë arsye, në fund të fundit na çojnë tek Krijuesi. Kur Kisha katolike, përmes barinjve të saj të ligjshëm, kujton vlerën që kanë këto parimeve themelore etike, të rrënjosura në trashëgiminë e krishterë të Evropës, për jetën private e akoma më shumë për atë publike, e bën këtë vetëm sepse dëshiron të garantojë e të mbrojë dinjietin e paprekshëm të njeriut si dhe të mirën e vërtetë të mbarë shoqërisë Në përfundim të takimit, Papa kujtoi me mirënjohje të thellë paraardhësin e doktor Kanduçit, profesor Gjovani Galasin, i cili për shumë vjet me radhë qe përfaqësues i Republikës së San Marinos pranë Vatikanit si dhe dekan i Trupit Diplomatik, të akredituar pranë Selisë Apostolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.