Obama e falënderon Benediktin XVI për mesazhin e urimeve
(12.11.2008 RV)Kontakti i parë i drejtpërdrejtë i Barak Obamës me Benediktin
XVI: dje presidenti i ri i SHBA pati një bisedë telefonike me Papën, të cilin e falënderoi
për mesazhin e urimit dërguar të nesërmën e zgjedhjes së tij. Kujtojmë se Papa,
përmes ambasadës së SHBA-së pranë Selisë së Shenjtë, i dërgoi një mesazh presidentit
të zgjedhur, Barak Obama, në të cilin, duke e uruar atë e familjen e tij e duke e
quajtur këtë zgjedhje ngjarje historike, e siguroi se i lutet Zotit ta ndihmojë në
kryerjen e detyrave të larta në vend e në bashkësinë ndërkombëtare dhe ta bekojë atë
e popullin amerikan, që së bashku me të gjithë njerëzit vullnetmirë, të mund të ndërtohet
një botë me paqe, solidaritet e drejtësi.