2008-11-12 16:42:00

Lasgush Poradeci: “Gjergj Fishta lirik: Shkëmb i tokës dhe Shkëmb i shpirtit shqiptar”.


(12.11.2008 RV) Fragmente nga studimi
... Në këtë gjuhë mashkull, me të cilën është ndërtuar (lirika e Fishtës) dyke hedhur gur përmi gur dhe shkëmb përmi shkëmb stili elementar i Fishtës, ay pat shprehur një ton të ri të zemrës i cili, me valën kur e kur minore, të përgazëshme ose hirplote, qëndron si në diskordancë kundrejt karakterit përgjithësisht të rreptë të poezisë së tij. Me një butësi dhe njomësi fjalësh, me një tingëll këngëtor, ay na ka shfaqur regëtimën e fshehtë për ne të engjëjve fluturakë që e rrethonin, dyke i-a prekur me gishtrinj prej rezesh djelli, ndonëse rrallë, gamën e kordhëzave të holla të lirës. Dhe këtë butësi dhe njomësi gjithnjë të shfaqur me fjalën plot, me pamjen reale, me fytyrat konkrete që shihen me sy e preken me dorë: Vasha e Nazaretit vjen lart prej shkretëtire ndaj Jordanin, dyke lëshuar përqark hiret e saj të përendishme. Një krahasim i vetëm, fizik, na fut çuditërisht në këtë atmosferë qiellore:

Ngjitej pervujtë, si fjolla e tymit t’kemit;
(Gurrave të Jordanit)

ose na jep soditjen e fshetësirës së natës me yje:

E ju, ‘dhe, hyj t’shkelzyeshem, qi pr’ empirit
Permallshim tue fërfllue me dritë t’kullueme,
Porsi sy Zotit, vreni m’sharte t’nirit;
(Nji gjamë desprimit!...)
...
Se ç’efekte tonaliteti të ëmbël shpirtëror Fishta nxjerr prej krahasimeve realiste, del në sy më mirë nga shembëllesa tipike më e bukur dhe më e përsëritur prej tij, atje ku e përngjet flamurin kombëtar me krahun e Engjëllit të Zotit ose me një pjesë të robes së Perëndisë:

Porsi fleta e Ejllit t’Zotit
Po rreh Flamuri i Shqypnís;
(Hymni i Flamurit Kombtár)


Nisë me u valvitë si fleta e kerubinit,
Si njaj skundilli i petkut t’Perendís: (“In hoc signo vinces”)

Fishta e ka veshur lirizmën e tij të vërtetë si tërë kryeveprën epike në një stil thelbësisht origjinal të shkulur për rrënje nga trupi dhe nga truri i racës, dyke fituar me këtë atavizmë artistike gjithë të drejtat e përjetësisë ndaj Kombit - anasjelltas dyke i dhënë Kombit privilegjin e mburrjes dhe të mbështetjes së kurdoherëshme mi Këngëtorin e math të fateve të tija!

Lasgush Poradeci, Vepra 2, Onufri, 1999, fq. 47, 48, 68







All the contents on this site are copyrighted ©.