2008-11-12 16:39:59

Imzot Marketo: emigrantët, edhe kur janë të parregullt, kanë dinjitet e të drejta, që nuk mund t’ua shkelë askush.


(12.11.2008 RV)RealAudioMP3 Shërbimi konkret ndaj emigrantëve e refugjatëve është prej vitesh në qendër të vëmendjes së Kishave në vendet e ndryshme të Azisë, parë si vende prej të cilave emigrojnë shumë njerëz, por edhe si vende drejt të cilave drejtohet vala e emigrantëve dhe e refugjatëve si nga brenda vendit, ashtu edhe nga jashtë. Rreth kësaj teme po të flitet duke filluar që sot në Bangkok, në një takim triditor organizuar nga Këshilli Papnor i baritorisë për emigrantët dhe endacakët, në bashkëpunim me Komisionin për lëvizjen e njerëzve të Konferencës Ipeshkvnore të Tailandës. Është në lojë jeta e miliona njerëzve që, së bashku me familjet, detyrohen të jetojnë jashtë vendit të tyre për shkak të konflikteve të armatosura, të problemeve ekonomike e politike, ose thjeshtë për të gjetur punë, në përpjekjen për të siguruar një ardhmëri më të mirë për fëmijët. Të shumta kanë qenë thirrjet e takimet organizuar nga Kishat e veçanta si dhe nga Federata e Konferencave ipeshkvnore të Azisë në favor të emigrantëve, të refugjatëve dhe të familjeve të tyre. Për këto përpjekje na flet, në mikrofonin e Radio Vatikanit, sekretari i Këshillit Papnor për baritorinë e emigrantëve e të endacakëve, kryeipeshkvi Agostino Marketo:

Përgjigje: - Pas këtyre deklaratave shikojmë përpjekjen e vazhdueshme të kapelanëve e të veprimtarëve baritorë, që punojnë ndërmjet emigrantëve e refugjatëve, për t’iu përgjigjur nevojave të tyre shpirtërore e materiale, e edhe për të punuar për përparimin e tyre njerëzor, duke u kujtuar se janë bij të një Zoti, që është dashuri. Kishat aziatike, të cilave u përkasin emigratët dhe refugjatët, bashkëpunojnë ngushtë me Kishat ku jetojnë aktualisht, për t’u siguruar këtyre njerëzve jo vetëm ndihmë e mbrojtje, por edhe për t’u krijuar mundësinë të jenë protagonistë të ungjillëzimit.

Pyetje: - Cilat janë aspektet më problematike të kësaj pune baritore për Federatën e Konferencave ipeshkvnore aziatike?

Përgjigje: - Para së gjithash duhet mbrojtur dinjiteti njerëzor i emigrantëve e i refugjatëve, të jashtëm e të brendshëm, për të siguruar të drejtat e tyre njerëzore. Kjo përfshin sigurimet shoqërore dhe ndihmën mjekësore për punëtorët emigrantë, si dhe mundësinë për të punuar, me qëllim që ata, të cilët kërkojnë strehim, të jenë në gjendje të mbajnë vetveten. Edhe emigracioni i parregullt lidhet me këto rrethana Si mund ta përcaktojmë kush ka të drejtë për ndihmë të veçantë, kur dynden valë emigrantësh, të persekutuar në vendet tyre, ose njerëzish që lëvizin për arsye më pak dramatike? Edhe kur njerëzit që banojnë në fshat zhvendosen në qytet ose përtej kufijve të vendit, shpesh herë kemi të bëjmë me një emigracion pa dokumente. Prirja për të braktisur fshatin e për t’u vendosur në qytete, po bëhet gjithnjë më e shqetësuese, duke krijuar një urbanizim të pakontrollueshëm, me një mori problemesh që e pasojnë. Pastaj vërehet edhe se emigracioni vijon të marrë fytyrë femërore. Emigrojnë gjithnjë më shumë vetëm gratë të cilat, duke punuar larg vendeve të tyre, bëhen burimi kryesor i të ardhurave për familjet e largëta. E nuk duhet harruar se fëmijët e burrat mbeten në vendin e origjinës. Gratë emigrante janë shumë më pak të mbrojtura, sesa burrat, posaçërisht kur punojnë në vende ku nuk njihen të drejtat e gruas. Emigrimi, si i burrave, ashtu edhe i grave, mund të ketë si pasojë dobësimin e lidhjeve familjare, shkeljen e besnikërisë bashkëshortote e zgjidhjen e martesave. Integrimi – jo asimilimi – është një problem tjetër i rëndësishëm.

Pyetje: - Ç’ të reja mendoni se do të sjellë takimi i Bangkokut?
 Përgjigje: - Në radhë të parë, shpresojmë t’i bëjmë emigrantët e refugjatët të vetëdijshëm për dinjitetin e tyre njerëzor, që nuk mund t’ua prekë askush, pavarësisht nga statusi i tyre ekonomik apo ligjor. Prej këndej, edhe të gjitha të drejtat e tjera njerëzore, që përfshijnë ato shoqërore dhe ekonomike, të cilat duhen njohur e mbrojtur.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.