2008-11-11 15:24:20

Shën Martini i Turit, Ipeshkëv


(11.11.2008 RV)RealAudioMP3 Për Shën Martinin thuhet se ishte: ushtar me zor, ipeshkëv për detyrë, murg për vullnet. I lindur në Panoni (Hungari) prej një tribuni, ndoq karrierën ushtarake në radhët e Rojeve të Perandorisë. Fëmijërinë e kaloi në Paví të Italisë e pastaj, si ushtar, shërbeu në Francë. Mbasi u pagëzua, u vu nën drejtim shpirtëror të Shën Hilarit (339). La karrierën ushtarake e, pak mbrapa, themeloi të parin kuvend rregulltarësh pranë Puatjë. Si u shugurua meshtar, pas vdekjes të ipeshkvit të Turit (372) u zgjodh ipeshkëv i asaj selie. Si bari i këtij dioqezi u bë apostull, mësues e bamirës i të gjithëve, posaçërisht i të varfërve e i fshatarëve. Me ndihmën e murgarëve të vet, ndihmoi fuqimisht shtresat e ulta të katundarëve e të barinjve dhe i dha shkas përparimit shoqëror të vendit e të Galisë mbarë. Vdiq në moshë të shtyrë, në vitin 397.
Është i pari shenjt jo martir i nderuar në elter prej Kishës.
Ikonografia e paraqet gati gjithherë mbi kalin e vet duke prerë me shpatë mantelin e tij, për të mbuluar një të varfër, që dridhej rrugës prej së ftohtit.

Benedikti XVI, duke e kujtuar Shën Martinin e Tur, në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 11 nëntorit 2007, i ftoi besimtarët të ndjekin shembullin e tij, t’i lënë mënjanë interesat personale e të punojnë me pasion të vërtetë për të mirën e përbashkët”.

 
Një pasion i tillë – theksoi Ati i Shenjtë - e shtyu, 1700 vjet më parë, ushtarin e Panonisë së lashtë, Martinin, ta kuptonte e ta jetonte në mënyrë krejt të jashtzakonshme karrierën ushtarake. Ishte krishterimi që e mësoi t’i respektonte e t’i mirëkuptonte të gjithë, të sillej me shërbëtorin e vet si me një vëlla e të largohej nga dëfrimet vulgare. E krishterimi e mësoi edhe ta ndante mantelin e vet me një varfanjak, që dridhej nga e ftohta – gjest që e bëri një nga shenjtorët më të nderuar në Evropë. Ky gjest – pohoi Papa – ka një logjikë të përcaktuar:

“Është logjika që të shtyn ta ndash gjithçka me tjetrin, në të cilën gjen shprehjen dashuria e vërtetë për të afërmin. Shën Martini na ndihmoftë të kuptojmë se vetëm përmes impenjimit të përbashkët për të mbështetur njëri-tjetrin, mund t’i përgjigjemi sfidës së madhe të kohës sonë: ndërtimit të një bote në të cilën mbretëron paqja e drejtësia, ku çdo njeri mund të jetojë me dinjitet. E kjo mund të bëhet realitet vetëm në se fiton epërsinë modeli botëror i solidaritetit të vërtetë, që është në gjendje t’u sigurojë të gjithë banorëve të planetit ushqimin, ujin, ilaçet e nevojshme, por edhe punën, burimet energjitike, pasuritë kulturore dhe njohuritë shkencore e teknologjike”.







All the contents on this site are copyrighted ©.