2008-11-11 15:36:02

365 ditë: "Luizë Mone, gruaja që mori pjesë në Koncilin II të Vatikanit".


(11.11.2008 RV)RealAudioMP3 Emri i Luizë Mone sot është pak i njohur, ndonëse vepra që themeloi pati një vlerë të jashtëzakonshme. Vëllai i saj njihet shumë më tepër: e kemi fjalën për Zhan Mone, partizan guximtar e themelues i Evropës!
Luizë Mone lindi në një familje borgjeze në Konjak, qytet në Francën perëndimore, ku mori edukatë thellësisht të krishterë. Në prehërin e ngrohtë të familjes e mësuan t’ia hapte zemrën gjithë botës.
Në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçare shkoi në Lurdë, për të marrë pjesë në një miting të Rinisë së Krishterë Punëtore, shoqatë në të cilën merrnin pjesë një numër i madh të rinjsh punëtorë, që e jetonin së bashku përvojën e fesë së krishterë. Për Luizën, ky ishte një çast tepër i rëndësishëm. Kuptoi se feja e krishterë nuk duhet përtëritur vetëm në mjediset punëtore, por edhe në ato borgjeze. Kështu vendosi të themelonte një shoqatë për njerëzit që nuk bënin pjesë as në botën punëtore, e as në atë fshatare: mund të themi se bëhej fjalë për një grupim, kushtuar mjediseve ‘të pavarura’. Prandaj shoqata e themeluar më 1935 nga Luizë Mone u quajt Rinia e Pavarur Femërore Kristiane. Në të merrnin pjesë vajza borgjeze, nga mosha katërmbëdhjetë, deri në moshën njëzet e tetë vjeçare. Më pas portat u hapën edhe për të rritur, burra e gra. Lindi, kështu, Veprimi Katolik i mjedisve të Pavarura: VKP. Luizë Mone dëshironte të ndërtonte një botë më të mirë e më të drejtë: për ta bërë këtë, duhej ndryshuar sa mendësia e njerëzve, aq edhe mënyra e jetesës së tyre. Në VKP organizohen takime me grupe të vogla, ku secili reflekton për jetën e vet, duke e ballafaquar me Ungjillin. Është një metodë që bën mrekulli. Duke u treguar të tjerëve jetën e përditshme, Marku, burrë i martuar e me fëmijë, e kupton se të rrish në zyrë deri vonë, do të thotë të harrosh se duhet t’i kushtosh vëmendjen e duhur edhe gruas e fëmijëve. Që nga ky çast, nis të kthehet në shtëpi më shpejt. Një tjetër, Zhani, pasi diskuton në grup për mënyrën si i shpenzon paratë, vendos ta paguajë më shumë gruan që i pastron shtëpinë. VKP është plot me histori të kësaj natyre, me shndërrime të vogla të jetës së njerëzve, të cilat pak nga pak e bëjnë botën më të bukur e më të drejtë.
Në vitin 1964, për herë të parë në histori, disa gra pranohen si dëgjuese në një koncil: më në fund mund të dëgjohet edhe zëri i grave. E para ndërmjet njëmbëdhjetë grave, që ftohen nga Pali VI, është Luizë Mone, e cila merr pjesë me bindjen se në frymën e Koncilit II të Vatikanit, të gjithë besimtarët, të shuguruar e laikë, do të gjejnë vendin e tyre në Kishë.







All the contents on this site are copyrighted ©.