2008-11-10 17:55:54

Papa në Engjëllin e Tënzot, duke kujtuar 70-vjetorin e “Natës së Kristaleve’, bëri thirrje kundër antisemitizmit e për paqen në Veri të Kivu-së.


(10.11.2008 RV)RealAudioMP3 Në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar dje në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Benedikti XVI kujtoi se pikërisht 70 vjet më parë shpërthente tërbimi nazist kundër hebrenjve, në atë natë që mbeti në histori me emrin ‘Nata e kristaleve’, shprehje e përdorur me tallje nga nazistët për shkak të vitrinave të thyera në 7500 dyqane hebrenjsh. Papa theksoi me forcë se kjo ngjarje nuk duhet harruar e njerëzimi duhet të bëjë çmos të mos përsëriten kurrë më tmerre të tilla. Po tmerret vijojnë të përsëriten. Tani në vise të tjera të botës. E një nga këto vise është pikërisht Veriu i Kivu-së, krahinë që bën pjesë në Republikën Demokratike të Kongos, tronditur këto ditë nga dhuna e nga shkatërrime të tmerrshme. Në solemnitetin e djeshëm të Kushtimit të Bazilikës Lateranense, ‘nënë e të gjitha Kishave’, Benedikti XVI i nxiti besimtarët të jenë gurë të gjallë në ngrehinën shpirtërore, të ndërtuar nga vetë Zoti.

Kurrë më tmerre naziste, kurrë më tmerre kundër hebrenjve! Në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI kujtoi një nga faqet më të trishtuara të historisë, natën ndërmjet 9 e 10 nëntorit të vitit 1938, kur shpërtheu tërbimi nazist kundër hebrenjve. Atë natë të llahtarshme u vranë 91 vetë, u bënë rrafsh me tokë 267 sinagoga, u internuan në kampet e vdekjes, 30 mijë hebrenj. Nisi kështu – vijoi të kujtonte Papa – persekutimi sistematik e i egër i hebrenjve gjermanë, që përfundoi në Shoah – apo në shfarosjen e tyre në masë:

Edhe sot ndjej dhimbje për çka ndodhi në atë rrethanë tragjike, kujtimi i së cilës duhet të shërbejë që tmerre të tilla të mos përsëritën kurrë më e që të impenjohemi, në të gjitha nivelet, kundër çdo forme të antisemitizmit e të diskriminimit, duke edukuar posaçërisht breznitë e reja me frymën e respektit e të mirëkuptimit reciprok. Ju ftoj, veç të tjerash, të luteni për viktimat e asaj kohe e të bashkoheni me mua, për t’i shprehur solidaritet të thellë botës hebraike”.

 
Më pas mendimi i Benediktit XVI shkoi shumë larg Gjermanisë, në zonën kongoleze të Veriut të Kivusë, prej nga – tha Papa – vijojnë të arrijnë lajme shqetësuese, që flasin për ndeshje të përgjakshme të armatosura e mizori sistematike, me viktima të shumta ndërmjte civilëve të paarmatosur e të pafajshëm. Shkatërrimet e dhuna e të gjitha tipeve – vërejti Ati i Shenjtë - i detyruan dhjetra mijëra njerëz të braktisin edhe atë pak gjë që kishin për të mbijetuar. E duke pasur parasysh këtë skenë dramatike, Benedikti XVI ngriti zërin për të kërkuar paqe për banorët e kësaj zone të mbytur prej kohe në gjak:

“Të gjithëve e secilit prej tyre, dëshiroj t’i shpreh afërsinë time të veçantë, ndërsa u jap zemër e i bekoj ata që po punojnë për t’ua lehtësuar vuajtjet, ndërmjet të cilëve përmend posaçërisht veprimtarët baritorë të kësaj Kishe vendase (…). Së fundi, përsëris thirrjen që të gjithë të bashkëpunojnë për rikthimin e paqes në këtë truall të martirizuar prej kohe, duke respektuar ligjshmërinë e sidomos, dinjitein e çdo njeriu”.
 
Papa kujtoi, më pas, edhe kremtimin e djeshëm, në Itali, të Ditës së Falënderimit, përqëndruar tek tema: “ Pata uri e më dhatë të ha”:

“Bashkoj zërin tim me atë të ipeshkvijve italianë të cilët, duke u nisur nga këto fjalë të Jezusit, tërheqin vëmendjen mbi problemin e rëndë e të ndërlikuar të urisë, që është bërë edhe më dramatik, për shkak të ngritjes së çmimeve të disa ushqimeve të bazës”.

 
Kisha – vijoi Papa – vë në jetë, përmes një mori nismash, ndarjen e drejtë të të mirave materiale, parim etik themelor për të. Më pas siguroi se lutet për botën fshatare, sidomos për bujqit e vegjël të vendeve në rrugë zhvillimi dhe i inkurajoi të gjithë ata, të cilët impenjohen që askujt të mos i mungojë ushqimi i nevojshëm e i shëndetshëm. Kush ndihmon të varfërin – tha Papa – ndihmon vetë Krishtin.
Para thirrjeve kundër antisemitizmit e për paqe në Republikën Demokratike të Kongos, Papa u ndal posaçërisht tek kremtimi i Kushtimit të Bazilikës Lateranense ‘nënë e të gjitha kishave’. Ati i Shenjtë kujtoi se pikërisht kjo bazilikë ishte tempulli i parë i ndërtuar pas ediktit të Perandorit Kostandin në vitin 313, i cili u siguroi të krishterëve lirinë për të praktikuar fenë e tyre. Festa e sotme – shpjegoi Benedikti XVI – në fillim kremtohej kryesisht nga qyteti i Romës, pastaj, që nga vitit 1565, u shtri në mbarë Kishën e ritit romak, duke nënvizuar kështu nderimin për Kishën e Romës e cila, siç nënvizon Shën Injaci, ‘i prin në dashuri’ mbarë bashkësisë katolike. Në këtë solemnitet – reflektoi Papa - Fjala e Zotit na kujton një të vërtetë themelore: “Tempulli me tulla është simbol i Kishës së gjallë, bashkësisë së krishterë, të cilën Apostujt Pjetër e Pal e kuptonin si ndërtesë shpirtërore, ndërtuar nga Hyji me gurë të gjallë, që janë të krishterët, mbi një themel të vetëm, që është Jezu Krishti:

Të dashur miq, festa e sotme kremton një mister gjithnjë aktual: tregon se Hyji dëshiron të ndërtojë në botë një tempull shpirtëror, një bashkësi që ta adhurojë në shpirt e në vertetësi. Por festa na kujton edhe rëndësinë e ndërtesave materiale, ku mblidhen bashkësitë për t’i drejtuar lavde Zotit”.

 
Prandaj çdo bashkësi – vijoi Ati i Shenjtë – e ka për detyrë t’i ruajë me kujdes ndërtesat kishtare, të cilat përbëjnë një pasuri të çmuar fetare e historike. Bukuria e harmonia e Kishave, të caktuara për t’i dhënë lumni Zotit – shtoi Papa – na fton edhe ne, njerëz me kufizime e mëkate, të bëjmë kthesë, për të formuar një kozmos, një ndërtesë të rregullt, të bashkuar ngushtësisht me Krishtin, që është vetë Shenjti i Shenjtorëve!
Në çastin e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, duke folur në gjuhën franceze, Benedikti XVI kujtoi se këto ditë kremtohet 90-vjetori i përfundimit të Luftës I Botërore dhe siguroi se lutet për paqen në botë dhe për të gjithë ata, që punojnë për drejtësinë dhe vëllazërimin ndërmjet njerëzve.







All the contents on this site are copyrighted ©.