2008-11-10 17:53:58

Ati i Shenjtë ipeshkvijve të Bolivisë: në një periudhë plot vështirësi e pasiguri, Kisha duhet të punojë për të gjallëruar fenë e për të promovuar dialogun e paqen.


(10.11.2008 RV)RealAudioMP3 Kisha e Bolivisë është e thirrur të gjallërojë fenë e popullit të vet, duke ndihmuar më nevojtarët e duke promovuar dialogun e pajtimin: me këto fjalë iu drejtua Benedikti XVI ipeshkvijve të Bolivisë, të cilët i priti sot paradite në audiencë në Vatikan, me rastin e vizitës së tyre ‘ad Limina’. Papa nëvizoi se një detyrë e tillë bëhet edhe më urgjente sot, në një çast ndryshimesh të thella e vështirësish të reja për popullin bolivian. Situata e pasigurtë u nënvizua edhe nga kardinali Julio Terrazas Sandoval, kryeipeshkëv i Santa Kruz de la Sierra e kryetar i episkopatit bolivian, në përshëndetjen drejtuar Benediktit XVI në fillim të audiencës.
Në një situatë të tillë Ati i Shenjtë i inkurajoi prelatët e Bolivisë, duke vlerësuar lart shërbimin fisnik që i bëjnë popullit të Hyjit për ta ruajtur e për ta gjallëruar fenë:

Conozco bien las difficile circunstancias ... 

 
I njoh mirë – tha Papa – rrethanat e vështira që shqetësojnë kohët e fundit besimtarët e qytetarët e vendit tuaj, vështirësi të cilat në këtë çast vijojnë të bëhen gjithnjë më të mprehta, ashtu si njoh edhe veprimtarinë baritore të Kishës në vend, e cila po i shoqëron nga afër të gjithë bolivianët nevojarë, me qëllimet më fisnike: t’i ushqejë me shpresë, t’ua gjallërojë fenë, t’ua forcojë unitetin, t’i nxisë për t’u pajtuar e për ta mbrojtur paqen.

De la escucha dócil de la Palabra divina...

 
Nga dëgjimi i përvujtë i Fjalës së Zotit – nënvizoi Papa – lind dashuria për të afërmin e, me të, edhe shërbimi pa kurrfarë interesi ndaj vëllezërve, një aspekt që zë vend të rëndësishëm në veprimtarinë baritore të Kishës në Bolivi, përballë situatës së varfërisë, prapambetjes e braktisjes së një pjese të madhe të popullsisë. Bashkësia kishtare - tha Papa - po dëshmon se, ashtu si Samaritani i mirë, ka një zemër që e shikon vëllain në vështirësi e që e mbështet përmes projekteve të panumërta të ndihmës, me vetëdijen se dashuria e pastër e pa interes, është mënyra më e mirë për ta dëshmuar Zotin, i cili na nxit gjithnjë të duam. Më pas Ati i Shenjtë vuri theksin mbi sfidat e tjera të rëndësishme, që duhet të përballojë episkopati bolivian:

La fe plantada en la tierra boliviana…

 
Feja e rrënjosur në trojet boliviane duhet ushqyer e duhet forcuar vazhdimisht, në mënyrë të veçantë kur perceptohen shenja dobësimi të jetës së krishterë, pasojë e faktorëve nga më ndryshmit, ndërmjet të cilëve, më kryesori, mospërkimi ndërmjet fesë që praktikohet e sjelljeve në jetën personale e shoqërore. Për ta përballuar këtë situatë – porositi Papa – Kisha boliviane mund të mbështetet mbi një realitet tepër të rëndësishëm, siç është ai i devocionit popullor, pa harruar vlerën kryesore të edukimit të përgjithshëm cilësor, bazë për rritjen në fe.

Tambièn una educación general de calidad...

 
E këty Papa kujtoi rolin tepër të rëndësishëm të institucioneve edukative që drejton Kisha katolike, shkolla - tha Papa – që duhen ndjekur me kujdes të veçantë, që të ruhet e të respektohet identiteti i tyre.
Në përfundim, porositë për formimin e seminaristëve dhe nxitja për të vënë gjithnjë në qendër të vëmendjes Shkrimin Shenjt.







All the contents on this site are copyrighted ©.