2008-11-09 15:57:32

Një javë me Papën e me Kishën katolike


(09.11.2008 RV)RealAudioMP3 Papa, përmes ambasadës së SHBA pranë Selisë së Shenjtë, i dërgoi një mesazh presidentit të zgjedhur, Barak Obama, përmes të cilit, duke e uruar atë e familjen e tij e duke e quajtur këtë zgjedhje ngjarje historike, e siguron se i lutet Zotit ta ndihmojë në kryerjen e detyrave të larta në vend e në bashkësinë ndërkombëtare. Këtë njoftim ua dha gazetarëve drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, i cili theksoi ndikimin e jashtëzakonshëm që ka zgjedhja e presidentit amerikan në mbarë skenën botërore:
"Detyra e presidentit të SHBA-ve është me përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe, e ka të bëjë jo vetëm me vendin e vet, por me gjithë botën, duke pasur parasysh peshën që SHBA-të kanë në të gjitha fushat e skenës botërore. Prandaj, të gjithë i urojmë presidentit të ri Obama t’u përgjigjet shpresave që mbështeten në të. Besimtarët ta lusin Zotin që ta shndritë e ta ndihmojë në këtë detyrë të rëndësishme".
 
“Një zgjedhje për të cilën amerikanët duhet të jenë krenarë”. Kështu e përgëzoi Xhorxh Bush Barak Obamën për fitoren e garës që e çon në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti i ri mori e vijon të marrë urime nga të katër anët e botës, nga krerë shtetesh e njerëz të thjeshtë. Zgjedhja e tij në Shtëpinë e Bardhë u përshëndet në pjesën më të madhe të botës. E mbarë Afrika, posaçërisht Kenia, ku ka lindur i jati i Obamës, e priti me gëzim zgjedhjen e senatorit afro-amerikan në presidencë.

 
Kështu, pra, Barak Obama është presidenti i ri i SHBA. Kandidati demokratik e mundi republikanin Xhon MkKein, duke fituar në të gjitha shtetet kryesore. Në fitoren e Obamës një peshë të madhe pati qëndrimi i të rinjve, që votuan në masë për të. Obama pason Xhorxh Bushin, si presidenti i 44-t i SHBA. Pas njoftimit zyrtar për fitoren, kryetari i ri i shtetit i drejtoi fjalën mbarë Kombit nga shtabi i tij i përgjithshëm në Çikago.
E përgatitja për takimin e rangut të lartë të G20 kushtuar krizës financiare, që do të mblidhet më 15 nëntor në Uashington, është emergjenca e parë e presidentit të ri të SHBA, Barak Obama, ndonëse nuk do të marrë pjesë personalisht, në sa zjejnë veprimtaritë politike për formimin e qeverisë së re. Zgjedhja e drejtorit të thesarit, takimi me Bushin e me shërbimet e sigurimit, politika e jashtme, sidomos tërheqja e vëmendjes mbi konfliktin në Afganistan, janë në rend të ditës së presidentit të ri.

Bota hesht, ndërsa në Irak shkelen të drejtat më fillestare të të krishterëve. Kështu shprehet, me keqardhje të thellë imzot Varduni, mëkëmbës patriarkal i Bagdadit, pas vendimit të marrë nga parlamenti irakian për t’i lënë pakicës së krishterë vetëm tre vende, nga dhjetë që kishte më parë, në Këshillat provinciale. Reforma bëhet në një çast dramatik për të krishterët irakianë, që pësojnë akte të paprera dhune e jetojnë në pasiguri të plotë, si të ishin të huaj në vendin e tyre.Ndërkaq të enjten e kaluar SHBA i dorëzuan qeverisë irakiane tekstin e rishikuar të marrëveshjes mbi praninë dhe statusin e kontingjentit amerikan në vend, pas modifikimeve të kërkuara nga Bagdadi. Dokumenti, tani në shqyrtim nga autoritetet irakiane, parashikon tërheqjen e trupave amerikane brenda vitit 2011, edhe në se Bagdadi do të kërkojë zgjatjen e misionit të tyre.

Duhet guxim për ta jetuar kristianizmin, por pa Ngjalljen e Krishtit, feja do të ishte pa kuptim. Kështu u shpreh të mërkurën e kaluar Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme kushtuar përsëri mësimeve të Shën Palit Apostull, duke nënvziuar aktualitetin e tyre për të krishterët e shekullit 21-të. Ati i Shenjtë shpjegoi se krishterimi nuk është udhë e rehatisë, përkundrazi, është ngjitje e vështirë, e ndriçuar nga drita e Krishtit e nga shpresa e madhe që lind prej Tij.

Polemika mbi të ashtuquajturën heshtje të Piut XII, që akuzohet për mungesë ndjeshmërie, madje edhe për bashkëfajsi përballë Shoah – apo shfarosjes së hebrenjve nga nacistët, përveçse fyerëse dhe e bërë me qëllime të caktuara, është pa kurrfarë baze historike”. Këtë pohoi të enjten e kaluar kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, gjatë një takimi në Universietin Gregorian, në Romë, organizuar për të kujtuar 50-vjetorin e vdekjes së Piut XII. Kardinali nënvizoi se shumë dokumente, që mund të studiohen lirisht në Arkivat e Vatikanit, dëshmojnë qartë sa pa kuptim janë këto akuza.
Ndërsa, duke përuruar në Vatikan ekspozitën e Komitetit të Shkencave Historike kushtuar Papës Paçeli, Hirësia e Tij, Bertone nënvizoi:
“Kujtimi i këtij Bariu të madh na rikthen në kushtet shoqërore, politike e fetare të atyre viteve, që sigurisht kanë ndryshuar, në krahasim me epokën moderne, ndonëse jo pak tematika rishfaqen me mprehtësi aktuale”.







All the contents on this site are copyrighted ©.